Video

Hoti i bindur se projektligji do të votohet në seancën e ardhshme

Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë pjesë në inaugurimin e punimeve për zgjerimin e rrugës rajonale Landovicë – Arbanë, përkatësisht segmentin “Hyrja në Qytetin e Prizrenit”, me gjatësi prej 3 kilometrash.

Me këtë rast është thënë se ky është vetëm fillimi i ndërtimit të rrugës që duhet të shkojë deri në Gjakovë, e pastaj të vazhdojë në Pejë e Istog, raporton KOHA.

I pyetur nga gazetarët lidhur me moskalimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, ka thënë se moskalimi nënkupton se jo të gjithë deputetët e koalicionit kanë qenë në seancë.
 

"Disa kanë qenë në udhëtim dhe disa për arsye të ndryshme atë ditë e kanë pas të pamundur. Ne seancën e radhës besoj do të jenë të gjithë dhe do ta kalojmë”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit ka theksuar se në muajin shkurt të vitit të ardhshëm partitë politike duhet të arrijnë konsensusin e duhur.

"Atë që mund të them është se kur të vijmë tek ajo pikë në shkurt, duhet të ulemi të gjitha partitë politike pa përjashtim për të siguruar 80 vota në Kuvend dhe përtej 80-shit për të mbërri atë konsensusin es nevojshëm rreth një emri që na përfaqëson më së miri për president të vendit”, ka shtuar ai.

Kryeministri Hoti me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe komunitetin boshnjak në Reçan, duke premtuar se Qeveria do t’iu qëndrojë afër qytetarëve të kësaj treve për përmirësimin e jetës së tyre, veçanërisht komunitetit boshnjak.