Zgjedhjet lokale

Nis numërimi i votave për kryetar të Istogut

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se të gjitha vendvotimet në komunën e Istogut janë mbyllur me kohë dhe dalja në zgjedhjet e rivotimit për kryetar komune ishte 41.27 për qind.

Daka ka thënë se rezultatet do të shfaqen drejtpërdrejt në sallën e KQZ-së sapo të kryhen numërimet në vendvotime.

“Ju informojmë se në ora 19.00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në komunën e Istogut dhe aktualisht është duke u bërë numërimi i fletëvotimeve. Në këtë proces të rivotimit në komunën e Istogut kanë votuar 20.248 votues, apo 41.27 për qind, derisa më 19 nëntor në të njëjtën kohë kishin votuar 18.233 votues, apo 38.24 për qind”, ka thënë Daka.

Ajo në emër të KQZ-së ka falënderuar prokurorinë dhe policinë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për rivotim në Istog, ku për të parin e komunës garojnë Haki Rugova nga LDK dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Rivotimi në komunën e Istogut është bërë për shkak të parregullsive në garën e balotazhit, më 19 nëntor.

KQZ ka njoftuar se numërimin e rezultateve mund ta ndiqni edhe live në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Numërimin mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.