Zgjedhjet lokale

Haskuka: Jam fitues, votat me kusht s’ka gjasa ta përmbysin rezultatin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prizrenit Mytaher Haskuka, i cili në bazë të rezultateve preliminare doli fitues në Prizren, është i bindur se edhe pas numërimit të votave me kusht, fitorja do të jetë e tij.

Haskuka madje thotë se pas rinumërimit të një vendvotimi një ditë më parë në Prizren, atij iu shtuan dhe 55 vota, gjë që e bën të pamundur, që rezultati të ndryshojë.

“Pas rinumërimit të djeshëm të një kutie, janë plus 55 vota për mua. Faktikisht ato vota i kishin shkuar gabimisht z. Totaj. Kështu që dallimi mes neve u ngrit në 449 vota. Dhe nëse e marrim numrin e votave me kusht, që janë 940 nuk ka gjasa për ndryshim të rezultatit zgjedhor. Ata ashtu qysh kanë besuar dhe në ditën kur kanë humb, po duan me mbajt elektoratin e vet ose njerëzit e partisë të rehatuar. Por PDK i ka humb zgjedhjet në Prizren. Për t’u ndryshuar rezultatin zgjedhor, ku unë jam përpara me 440 vota, duhet që ata me i fitu 100 për qind të votave, gjë që është e pamundur. Fitorja është e jona”, tha Haskuka për KosovaPress.

Ndryshe sipas rezultateve preliminare të KQZ, Mytaher Haskuka ka marrë 25 mijë e 509 vota apo 50.32 pë rqind, pasuar nga Shaqir Totaj i PDK-së me 25 mijë e 180 vota apo 49.68 për qind.