Zgjedhjet lokale

AAK: Smajl Latifi është fitues i Rahovecit

Descriptive Text

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka thënë se në bazë të rezultateve të djeshme në Komunën e Rahovecit, del se kandidati i tyre, Smajl Latifi, ka fituar me rezultat të ngushtë.

“Në zgjedhjet e djeshme të balotazhit për kryetar të Komunës së Rahovecit, kandidati i AAK-së, z. Smajl Latifi, pas një performance të jashtëzakonshme dhe bindëse gjatë tërë fushatës, arriti që të dali fitues në garën për kryetar të kësaj komune. Në zgjedhjet e djeshme kryetari Latifi mori 10 mijë e 483 vota, kurse kundërkandidati i tij Idriz Vehapi i PDK-së, 10 mijë e 197 vota, pra dallimi është 286 vota, kurse janë të panumëruara 262 vota me kusht”, tha AAK në një komunikatë për media.

“Shkrimet në disa portale për gjoja mundësinë e ndryshimit të rezultatit në këtë komunë dhe mundësisë së humbjes së kësaj komune nga AAK-ja, i shohim si të pasakta dhe tendencioze, sidomos kur kemi parasysh se fitorja e Smajl Latifit është me 286 vota dallim, edhe sikur të gjitha 262 votat me kusht të shkojnë për kundërkandidatin, prapë Smajl Latifi është fitues”, përfundoi komunikata e AAK-së.