Zgjedhjet lokale

Ahmeti shpall fitoren: Nuk e kishim përpara vetëm një kandidat

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, si kandidati i Vetëvendosjes ka dalë bashkë me Selim Pacollin e AKR-së, para masës që vetë ka thirrur për festën të fitores në Prishtinë.

E LDK-ja e ka quajtur të ngutshme këtë festë.

Ahmeti duke festuar fitoren edhe për një mandat në krye të Prishtinës, ka porositur se do të vazhdojë lufta kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e kryeqytetit.

“Nuk kemi pasur përpara vetëm një kandidat por një qeveri të tërë”, ka thënë Ahmeti.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha partive në asamblenë komunale të Prishtinës që t’i bashkohen programit të Vetëvendosjes për ndaljen e së keqes.

“I ftojmë të gjithë asambleistët t’i bashkohen reformës, kundër të keqes në Prishtinë. Ende nuk ka përfunduar puna në luftën kundër korrupsionit dhe punët e mira që duhet t’i bëjmë në Prishtinë. Do të ndërtojmë shkolla e çerdhe, dhe do të përmirësojmë transportin publik, si dhe shumë punë tjera. Urime fitorja”, ka thënë ai.