Zgjedhjet lokale

Gjithçka gati për zgjedhjet e së dielës

Ora shtatë e mëngjesit të së shtunës ka shënuar fillimin e heshtjes parazgjedhore.

Derisa partitë politike dhe kandidatët e tyre për kryetar komunash kanë pushuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer përgatitjet për ditën e votimit, raporton KTV.

Të dielën e 19 nëntorit, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 300 mijë qytetarë.

Në 19 komuna, përfshirë gjashtë nga shtatë kryesoret: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj do të zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve.

Rundi final do të zhvillohet edhe në Vushtrri, Podujevë, Obiliq, Kamenicë, Suharekë, Malishevë, Rahovec, Klinë, Istog, Kllokot, Shtime, Kaçanik dhe Dragash.

Ndërsa, në Partesh do të përsëritet rundi i parë.

Drejt depove të KQZ-së në këto komuna, janë nisur kamionët me materialin zgjedhor.

Përderisa fletëvotimet do të mbesin në depot komunale, materialet jo të ndjeshme si kabinat, llambat e spërkatësit janë shpërndarë nëpër qendrat e votimit.

14 mijë komisionarë dhe 12 mijë vëzhgues, do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit.

1,784 prej këtyre të fundit do të jenë nga “Demokracia në Veprim”.

Ky koalicion i OJQ-ve u ka bërë thirrje partive politike që të tregojnë pjekuri për të pasur zgjedhje të lira, të qeta e demokratike.

Ndërkohë, DnV ka prezantuar të dhënat nga monitorimi i 166 aktiviteteve nga fushata 5 ditore.

Sipas raportit, në 28 për qind të tubimeve është vërejtur prani e fëmijëve, në 30 për qind të aktiviteteve personave me nevoja të veçanta nuk u është ofruar qasje, e po ashtu është vërejtur pjesëmarrje e ultë e grave në tubime, më pak se 10%.