Zgjedhjet lokale

Ymeri: Fuqizimi i Vetëvendosjes i dërgon hajnat në burg

Numër i madh i simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje u mblodhën sonte në sallën “1 Tetori” në Prishtinë në tubimin përmbyllës të fushatës pesë ditore për raundin e dytë që do të mbahet më 19 nëntor.

Tubimi i sotëm nuk kishte se si të fillonte ndryshe përveç se me reagimin për dënimin e 4 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga Gjykata Themelore e Prishtinës për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Në tubimin e madh të VV-së si gjithherë morën pjesë edhe prindërit e aktivistit tanimë të ndjerë, Astrit Dehari.

Secili nga folësit i përshëndeti Avni dhe Xhemile Deharin si dhe prindërit e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt të vrarë në protestat e vitit 2007 organizuar nga kjo Lëvizje.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se dënimi i sotëm ndaj katër aktivistëve dëshmon se sa thellë është kapur shteti.

Sipas tij, i ngutshëm është ndryshimi për vendin, prandaj ai tha se do të mobilizohen që më 19 nëntor të qeverisin në 5 komunat ku janë në balotazh.

Ymeri tha se fuqizimi i Vetëvendosjes i shërben drejtësisë duke i dërguar ‘hajnat në burg dhe duke u dhënë lirinë qytetarëve të Kosovës’.

Ai tha se fuqizimi i Vetëvendosjes garanton edhe zhvillim ekonomik, dhe mirëqenie për të gjithë.

“Ky fuqizim i Vetëvendosjes i shërben fuqizimit të të drejtëve në këtë vend e fuqizimi i të drejtëve e mund padrejtësinë, ky fuqizim i Vetëvendosjes i shërben barazisë në këtë vend e barazia i mund të privilegjuarit që e kanë kapur shtetin, ky fuqizim i Vetëvendosjes i shërben drejtësisë në këtë vend e drejtësia i dërgon hajnat e kriminelët në burg ndërsa ua jep lirinë qytetarëve e aktivistëve. Po ky fuqizim i Vetëvendosje i garanton edhe zhvillimin këtij vendi e zhvillimi e mund varfërinë e ja kthen dinjitetin qytetarit punëtor, ky fuqizim i Vetëvendosjes e sjell mirëqenien në këtë vend”, tha Ymeri.

Ymeri ka ftuar të gjithë simpatizantët që të mos humbin fokusin për betejën politike të 19 nëntorit, me qëllim që Lëvizja Vetëvendosje të dal fituese edhe në pesë komunat tjera, dhe kështu edhe pesë “Shpenda” tjerë të udhëheqin për katër vite në Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Prizren, Podujevë dhe Kaçanik.

E masa elektrizohet kur del në skenë lideri Albin Kurti. Ai tha se të gjitha komunat tjera janë keq përveç Prishtinës.

Sipas tij komunat tjera kundërmojnë, kanë korrupsion si ‘n’bahçe të babës’, kanë nepotizëm, i kanë nxënësit e uritur përveç Prishtinës. Prandaj Kurti ftoi të gjithë që ta votojnë Qëndron Kastratin në Kamenicë, Ajet Poterën në Podujevë, Sami Kurteshin në Gjilan, Mytaher Haskukën në Prizren dhe Basri Kodrën në Kaçanik. Ardhja e tyre në pushtet sipas Kurtit nuk do të thotë rehati por përgjegjësi.

“Në qeverisjen e Lëvizjes tonë me Shpendin kryetar kishim një qeverisje të lartësuar dhe demokratike kishim një ngjitje që nuk është rehati por përgjegjësi. Kështu do të jetë në pesë komuna dhe në kryeqytet ku ne fitojmë në balotazh. Shpendit e Ajetit, Qëndronit dhe Mytaherit, Samiut dhe Basriut u nuk do t’i zvogëlohen gajlet personale pse do të jenë kryetar të komunash. Përkundrazi atyre do t’u shtohen gajlet sepse ata do t’ua marrin juve gajlet duke u marr vet ata me gajlet e juaja”, tha Kurti.

Ndërsa, kryetari aktual i Prishtinës, i cili njëherish është edhe kandidat për kryetar, Shpend Ahmeti ka mbajtur një fjalim të gjatë teksa disa herë e kanë kapluar emocionet duke folur për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes.

Ahmeti ka bërë krahasime me partitë tjerë duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje karrigen e sheh qytetarin ndërsa të tjerët e shohin pushtetin.

Për katër vitet e ardshme ai premtoi shtim të çerdheve, transport pa pagesë për pensionistë, rritjen e sistemit të ngrohjes, përmirësim të shërbimeve mjekësore, ushqim për rastet sociale, përmirësim të rrjetit të kanalizimit.

Ahmeti u zotua se në vitin 2021 do ketë më shumë infrastrukturë, shëndet, ushqim, arsim dhe zhvillim.

Duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve tha se së bashku kanë nevojë të ngrisin shpresën, dhe t’iu tregojnë tjerëve se mundet ndryshe.

“Ne e shohim personin, njeriun, jetën dhe barazinë, e shohim pensionerin e shohim gruan e shohim nënën, e shohim prindërit e shohim nxënësin e shohim fëmijën dhe vitin 2021 ne e imagjinojmë shumë më të mirë për të gjitha këto kategori. Në vitin 2021 do të ketë edhe më shumë infrastrukturë edhe më shumë shëndet edhe më shumë ushqim edhe më shumë zhvillim edhe më shumë arsim edhe Sallë Koncertale edhe më shumë kulturë edhe më shumë sport. Ne nuk iu shohim si votë, para, interes dhe karrige prandaj qytetarë kemi nevojë që bashkë ta ngrisim shpresën të ndërtojmë standarde dhe të iu tregojmë të tjerëve se mundet ndryshe”, tha ai.

Sipas tij para katër viteve e kanë ndalur tenderimin dhe korrupsionin e bashkë me këto dyja e kanë ndalur edhe një bisht të cilin ai e quajti “Bisht i macës a i dreqit”.

Në tubimin përmbyllës të VV-së në Prishtinë ka marr pjesë edhe kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës Selim Pacolli, i cili tashmë do ta mbështes Ahmetin në balotazh.

Edhe Pacolli nuk ka harruar t’i përshëndes prindërit e Astrit Deharit duke iu thënë se do të jenë me ta deri në ditën e fundit.

Por Pacolli, ish ushtar i UÇK-së ka përshëndetur në veçanti kandidati për kryetar të Kamenicës Qëndron Kastratin duke rikujtuar se ai është djalë i dëshmorit Isa Kastrati.

Pacolli tha se bashkë me VV-në janë koalicion i shpresës e jo i biznesit siç i kanë quajtur kundërshtarët politik.

“Ne na quajtën koalicioni i biznesit, sikur nuk e dinin se çfarë koalicionesh kanë lidhur. Unë iu bëj me dije nga këtu se nuk bëmë koalicionin e biznesit por të shpresës dhe të ardhmen e Prishtinë i cili filloi para katër vitesh të ndahet vija që dukej me ngjyrë gri dhe sot duket një qytet evropian”, tha Pacolli.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë votuesve që ta votojnë Ahmetin që ai e ka quajtur ‘njeriun e duhur për Prishtinën’ duke thënë se në 20 vitet e ardhshme nuk do të ketë vend për qeverisje tjera por do të qeverisin bashkë me Vetëvendosjen.