Zgjedhjet lokale

Abrashi: Qeverisja ime do të jetë me vizion për një Prishtinë Metropolitane

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, në tubimin përmbyllës, është zotuar para qytetarëve të Prishtinës se pas fitores ditën e diel do të qeverisë mirë dhe do të zbatojë programin e punëve të mëdha për Prishtinën.

“Qeverisja ime, në bashkëpunim me partnerët tanë do të jetë qeverisje e punëve të mëdha dhe projekteve të mëdha, do të jetë qeverisje me vizion për një Prishtinë Metropolitane, e cila do të zhvillojë edhe komunat përreth dhe do të jep impulse zhvillimi gjithë Kosovës. Nuk do të bëjmë punë sot për nesër, por do të bëjmë punë për të ardhmen e Prishtinës. Unë i kam hyrë garës për Prishtinën me një vizion optimist dhe shpresëdhënës për Prishtinën. Vizioni in është Prishtina e zhvilluar dhe miqësore, një Prishtinë që e duam për familjet tona, këtë po e shoh në tubimet madhështore, po e shoh në çdo mjedis”, ka thënë Abrashi.

“Unë vlerësoj çdo punë të mirë që është bërë në qytetin tonë, sheshet, rrugët, parqet shkollat, qendrat e mjekësisë familjare, drunjtë dhe lulet e mbjella. Qytetarët janë ata që vlerësojnë se çfarë është punuar dhe çfarë nuk është punuar. Çfarë është punuar mirë dhe çfarë është punuar keq. Do të dëshiroja që në mandatin e kryetarit në shkuarje të ishte punuar ashtu siç ishte premtuar, ashtu siç ishte zotuar, por kjo nuk ndodhi. Ai e fitoi mandatin me propagandë dhe ai e përfundon mandatin me propagandë. Ditën e mirë e ka”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se është zotuar para qytetarëve se do ta ndërtojnë Prishtinën dhe do ta zhvillojmë ashtu siç ata e dëshirojnë.

“Do të bashkëpunojmë me secilin qytetar dhe me të gjitha institucionet e vendit, që Prishtinën ta bëjmë kryeqytet me të gjitha vlerat që i takojnë, kryeqytet që do t’ju konkurrojë qyteteve evropiane, sepse ne synojmë Bashkimin Evropian”, pohoi ai.

“Si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunojë me të gjitha kryeqytetet evropiane, me Nju Jorkun dhe Uashingtonin dhe me miqtë tanë që na lidhi Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova. Ne do të bëjmë ndryshime dhe këtë ndryshim e garantoni ju që jeni sonte bashkë me ne dhe gjithë ata njerëz vullnetmirë nga parti të ndryshme që u bënë bashkë me ne”, potencoi Abrashi.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën ka thënë se së bashku me qytetarët do ta pensionojmë dembelinë e qeverisjes aktuale, e cila për katër vite nuk ndërtoj asnjë shkollë, asnjë institucion shëndetësor, asnjë qendër sportive dhe asnjë projekt tjetër të madh për Prishtinën.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përmbyll fushatën zgjedhore në Prishtinë, nga ku kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa ka ftuar qytetarët e Prishtinës që të votojnë për njeriun, i cili do t’i vë gur-themelet Prishtinës, shkollave, e shëndetësisë dhe jo të votohet një njeri që nga sheshi nxjerrë gurë për gjuajtur qytetin.

Ai po ashtu i ka ftuar edhe votuesit e Aleancës Kosova e Re, që ta mbështesin Arban Abrashin për kryetar të Prishtinës.

“Jam shumë i bindur edhe njerëzit Aleancës Kosova e Re, njerëzit që garuam së bashku në qershor të këtij viti, njerëzit në këtë sallë dhe në sallat tjera u përbetuan në Ibrahim Rugovën dhe shtëpinë e Ibrahim Rugovës. Dhe unë jam i bindur që ata e kanë pasur përnjëme, sepse jam i bindur se ata duhet të jenë në shtëpinë e Ibrahim Rugovës, duhen të jenë me ne dhe duhet të jenë me ne për kryetar të Komunës, dhe unë pres që vota e tyre do të jetë votë për Arban Abrashin”, tha Mustafa.

Ai tha se kanë marrë vendim që kryeqytetin ta udhëheq një punëtor, i cili ka përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ka shtuar se LDK, zgjedh njeriun i cili do të vë gur-themele në kryeqytet dhe jo njerëz që gjuajnë gurë.

“Ta udhëheq njeriu, i cili do të vejë një gur në themelet e ndërtimit të Prishtinës. Një gur në themelet e shkollave, qendrave të mjekësisë familjare, të rrugëve, e të kanaleve. Dhe jo një njeri, që do të nxjerrë gurë nga sheshi i qytetit, për të gjuajtur qytetin e vet. Sepse ai nuk e ka vendin në krye të Prishtinës. Ne ju kemi ofruar një njëri të ndërgjegjshëm, një njeri punëtor. Ne ju garantojmë që Arban Abrashi do t’i mbajë premtimet”, tha Mustafa.

Gent Begolli nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se bashkëpunimi LDK-AAK në përkrahje të Arban Abrashit, është natyral, jo pjesë e pazareve politike, sepse bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy subjekteve politike e ka vendosur ish-Presidenti Rugova.

“Prishtina udhëhiqet me dashuri dhe me dije, nuk udhëhiqet me pazare. Bashkohuni për një Prishtinë më të pastër, bashkohuni për një Prishtinë me rend dhe rregull, bashkohuni për një Prishtinë me infrastrukturë më të mirë, bashkohuni me një ekip që qeveris qytetari i Prishtinës dhe jo të tjerët”, ka thënë Begolli.