Zgjedhjet lokale

Veseli: Ilazi garanci për zhvillimin e Kaçanikut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në tubimin përmbyllës në Kaçanik ka thënë se kjo komunë ka qenë gjithmonë qendër e krenarisë kombëtare.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ai ka thënë se në të kaluarën Kaçaniku ishte bastion i lirisë së Kosovës, por sot është bastion i pathyeshëm i fitoreve të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Jemi bërë bashkë për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të Kaçanikut, për t’i dhënë një fitore të re Kaçanikut, fitoren e merituar të Partisë Demokratike të Kosovës, me Besim Ilazin kryetar”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Veseli ka thënë se kur ishte koha për të vendosur për emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave, në Kaçanik nuk kishin asnjë dilemë.

“Kryetari i tashëm dhe i ardhshëm i Kaçanikut, Besim Ilazi, është njeriu që secila Komunë e Kosovës do dëshironte ta kishte kryetar”, u shpreh ai.

I pari i PDK-së tha se për Besim Ilazin kryetar, më shumë se gjithçka tjetër, flasin projektet e shumta të realizuara në Komunën e Kaçanikut, në infrastrukturë, në arsim, shëndetësi e në përkrahje të fermerëve të Kaçanikut.

“Besim Ilazi është garanci që zhvillimi në Komunën e Kaçanikut do të vazhdojë. Është garanci për rritjen e investimeve që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Ai ka premtuar se shumë shpejt Kaçaniku do të bëhet pjesë e rrjetit nacional dhe ndërkombëtar të rrugëve përmes autostradës “Arbën Xhaferi”.

“Kjo do të hapë perspektivë të re për zhvillimin e këtij rajoni dhe Kaçanikut si komunë”, ka thënë ai.

Lideri i PDK-së ka kërkuar nga kaçanikasit që më 19 nëntor të dalin masivisht dhe të votojnë për Besim Ilazin.