Zgjedhjet lokale

Kurteshi i bindur se do të bëhet kryetar i Gjilanit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, është i bindur se pas balotazhit të 19 nëntorit, do ta udhëheq Gjilanin për katër vitet e ardhshme.

Këtë bindje, Kurteshi e bazon në nevojën e madhe për ndryshim dhe gatishmërinë që treguan gjilanasit me 22 tetor që votuan kundër qeverisjes aktuale e cila ka shkatërruar qytetin e Gjilanit.

Në një intervistë për KosovaPress, thekson se ende nuk kanë asnjë marrëveshje me partitë tjera për ta përkrahur në balotazh me 19 nëntor, porse qytetarët që votuan për ato parti me 22 tetor pret që ta votojnë atë sepse ata janë e vetmja alternativë.

“Ne kemi ofruar alternativën e vetme për ndryshim, Vetëvendosje, dhe partitë tjera ose qytetarët që kanë votuar me preferenca për subjekte tjera kanë pasur një moto, këtë gjendje nuk e duan, nuk jemi të kënaqur me këtë gjendje, duam ndryshim. Kjo do të thotë në interpretimin e votës se duam ta ndryshojmë këtë gjendje, duam ta ndryshojmë këtë qeverisje. Tash lokomotiva e ndryshimit është VV, prandaj ne mendojmë që shumica e madhe e atyre njerëzve që nuk kanë votuar për këtë qeverisje, për LDK-në, do të votojnë për ndryshimin dhe platformën e VV-së. Prandaj kjo na bënë të sigurt se me 19 nëntor ne do të jemi fitues”, tha Kurteshi.

Nga skanimi i gjendjes që i kanë bërë, Kurteshi thotë se në Gjilan ka degradim, ngecje dhe dështime në të gjitha fushat që përbëjnë jetën politike, ekonomike, kulturore të një komuniteti të komunës.

Pretendenti për të parin e Gjilanit përmend prioritetet kyqe që ka për këtë qytet nëse ai fiton zgjedhjet.

“Kemi së pari, administratën, transparencën në qeverisje, që tash mungon totalisht. Një nga komunat me të papërgjegjshme, qeverisje me të papërgjegjshme në krejt Kosovën edhe me mjete financiare, edhe me procedura administrative është kjo qeverisje. Dy, qytetari është përjashtuar nga vendimmarrja, është përjashtuar totalisht nga vendimmarrja. Çdo projekt, çdo fillim që ka të bëjë me jetën e përbashkët është i monopolizuar në duar e burokratëve politik që e kanë sjellë këtë gjendje këtu ku e kanë sjellë. Kemi arsimin që ka dështuar totalisht. Ne në një komunë që është relativisht e zhvilluar, kur them relativisht e zhvilluar e kam fjalën për rrethanat e Kosovës, por jo tjerat, ende ka shkolla fillore e të mesme që punojnë me tri ndërrime, me orë mësimi 30 minuta, kjo është e palejueshme”, u shpreh ai.

Kurteshi përmend edhe prioritete tjera, siç është problemi ndër me të rrezikshmit, ndotja e ujërave, pasi Gjilani po kundërmon nga era. Derisa, bujqësia thotë se është degraduar totalisht ku mbi gjysma e tokave bujqësore nuk punohet fare, kurse subvencionimi i bujqve bëhet në mënyrë klanore e partiake.

Qeverisja aktuale, Kurteshi thekson se e ka shkatërruar urbanizmin, derisa ka shuar jetën kulturore. Sipas tij, teatri profesionist ka mbi një vit që nuk ka pasur asnjë shfaqje premier.

Projektin e autostradës Prishtinë-Gjilan, Kurteshi e quan mashtrimin me të madh që ia ka bërë Lutfi Haziri dhe LDK-ja qytetarëve të Gjilanit.

“Kjo autostradë do të vjen. Mirëpo ky ka qenë një mashtrim elektoral nga niveli qendror dhe komunal për arsye të qeverisjeve momentale, do të thotë, sepse mashtrimi elektoral nga LDK-ja ka qenë për arsye se në qeverisjen e kaluar gjithë resorët qeveritar që marrin vendimin për ndërtimin e autostradës kanë qenë të LDK-së, autostrada nuk ka filluar. Do të thotë ka qenë një gënjeshtër e kulluar. Në qeverisjen e tashme ka qenë edhe subjekti i AAK-së që ka bërë një manipulim që kemi parë se nuk ka ndonjë vlerë”, shtoi ai.

Kur pyetet për koalicionet, Kurteshi thotë se nuk kanë asnjë koalicion apo aleancë me asnjë parti që nuk ka arritur të shkoj në balotazh, porse me elektoratin e atyre partive thotë se po takohet dhe po merr kërkesa nga ta për të biseduar.

“Ne kemi shumë kontakte të shumta me qytetarët, sidomos me ata votues që kanë qenë të subjekteve tjera, pa dallim, kemi edhe ftesa prej tyre, kemi edhe kërkesa prej tyre që të bisedojmë. Ata janë të interesuar për ndryshim. VV e ka një parim, aty ku ka çfarëdo marrëveshje, ajo do të bëhet publike menjëherë. Momentalisht në Gjilan nuk ka asnjë marrëveshje që mund të quhet koalicion apo aleancë për balotazhin, për ndryshe nuk kemi asnjë arsye të mbajmë fshehur, sepse edhe ashtu pas zgjedhjeve që mendojmë që do t’i fitojmë, për ndërtimin e një shumice janë të domosdoshme koalicionet. Ne atë nuk mund ta fshehim, sepse flasim numrat. Ose është mundësia tjetër që t’i fitosh zgjedhjet por të mos e kesh një shumicë për vendimmarrje në Kuvendin Komunal”, thotë Kurteshi.

Megjithëse, nuk ka ende marrëveshje për koalicion para balotazhit, Kurteshi e sheh të domosdoshëm një koalicion pas zgjedhjeve, për ta bërë shumicën në kuvendin komunal. E për një koalicion pas zgjedhjeve të balotazhit, Kurteshi nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, ndonëse për një gjë të tillë vendos partia. Derisa, qeverisjen e ardhshme Kurteshi e sheh gjithëpërfshirëse për Gjilanin.

“Vijat e kuqe për mua janë kufizime mediale, ne momentin kur vijat e kuqe definohen shumë mirë dhe thuhet vija e kuqe quhet kjo, ne tani e shohim a kemi vija të kuqe. Politikisht unë po e them këtë, kjo do të ngjajë edhe ne do të bëjmë përpjekje që ta bëjmë qeverisjen me të mirë gjithëpërfshirëse për Gjilanin dhe do të bëjmë përpjekje që të marrim njerëzit me të mirë dhe pjesët me të mira të programeve që janë zbatuar për Gjilanin.

Një gjë Kurteshi premton se gjysma e ekzekutivit do të jenë femra ashtu siç është përbërja reale dhe objektive e Gjilanit pasi ai ta marrë drejtimin e këtij qyteti.

Pretendenti për të parin e komunës së Gjilanit, aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës, derisa i pyetur se cilin post do ta mbante më me qejf, atë të deputetit apo kryetarit të komunës, Kurteshi e quajti post sfidues të qenit kryetar komune, ndërsa, posti i deputetit është post më i rehatshëm. Mirëpo, sipas tij, ai është njeri i sfidave dhe e ka ndërmend të punoj me njerëzit në teren.