Zgjedhjet lokale

Bahtiri vs Idrizi

Mitrovicë, 16 nëntor - Balotazhi i 19 nëntorit do të vërë në garë edhe një herë dy kandidatët për kryetar të Mitrovicës Jugore, Valdete Idrizi nga PDK-ja dhe kryetarin aktual nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit asnjëri nuk ka marrë vota të mjaftueshme për t’u shpallur fitues. Valdete Idrizi në raundin e parë ka dalë e para me 9.119 vota ose 29.45 për qind, ndërsa i dyti ka dalë kryetari aktual nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri me 8.393 vota ose 27.11 për qind.

Edhe në vitin 2013 Bahtiri ishte renditur i dyti në raundin e parë dhe në balotazh kishte garuar po me PDK-në, që atëkohë përfaqësohej nga Avni Kastrati dhe kishte arritur të përmbyste rezultatin. Deri tash, të dy garuesit kanë formuar koalicione me partitë që nuk arritën të dalin të parat ose të dytat. Agim Bahtiri ka bërë marrëveshje me LVV-në, Nismën dhe PD-në. Ndërkohë, Valdete Idrizin do ta mbështesë AAK-ja. Bahtiri për qeverisjen e tij katërvjeçare thotë se ka qenë si kristali e pastër.

“Nuk do të lejojmë asnjëherë, në asnjë formë, në asnjë mënyrë, me asnjë çmim, të na kthehet fruthi i 2013-s”, ka thënë Bahtiri.

Kryetari aktual ka akuzuar Sami Lushtakun e Kadri Veselin për përfshirje të pandershme në fushatën për kryetar të komunës për zgjedhjet e 22 tetorit. Ka thënë se kanë shpërndarë drunj e të mira të tjera materiale në këmbim të votave.

“Pse po bëhesh ambasadore e PDK-së (Valdete Idrizi) për me i mbulua krimet e kësaj partie?”, ka thënë ai gjatë një përballjeje me Idrizin.

Kryetari aktual i Mitrovicës ka premtuar se do të vazhdojnë dinamikën e shtrimit të rrugëve në lagjet në qytet e në fshatra.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me ujësjellës, të gjithë gypat që janë instaluar me gypa të azbestit që janë kancerogjen po ndryshohen, kam përfituar një donacion me bashkëfinancim nga Luksemburgu në vlerë 1 milion e gjysmë euro. Po ashtu, planifikojmë që të ndërtojmë një gyp direkt prej Mitrovicës në Shalë të Bajgorës, ku me rënie të lirë do të lidhet krejt Shala. Kanalizimet i kemi kryer diku 92 km kanalizim deri më tani, kemi edhe buxhetin e ndarë për kanalizime dhe rrjetin e ujësjellësit, por kemi edhe një kredi prej 12 milionë eurosh nga Austria dhe dokumentacioni ka kaluar në mënyrë të rregullt”, ka thënë Agim Bahtiri. “Kemi shtruar 200 km rrugë deri më tani, ka qenë një mandat më i suksesshmi prej pas luftës. Nuk kemi lënë lagje apo fshat pa intervenuar, sidomos në Shalë, të cilët asnjëherë s’e kanë prekur atë zonë. Do të vazhdojmë ritmin edhe më të madh, po ju garantoj qytetarëve se nuk do të ketë rrugë që nuk do të shtrohet me asfalt. Ne kemi dhënë dy vendparkingje për t’u ndërtuar, njëri është në qendër të qytetit që do të jetë nëntokësor dhe tjetri është nëntokësor, por do të jetë edhe katër kate mbi tokë”.

Ai ka premtuar përkrahje për të rinjtë dhe 3800 vende të punës.

Ndërkohë, kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka akuzuar Bahtirin për moskrijim të kushteve për investitorë. Sipas saj, investitorët janë larguar për shkak të kushteve të pavolitshme që janë krijuar nga Komuna e Mitrovicës.

“15 mijë vende të punës i keni premtuar Bahtiri. E dyta keni thënë asnjë familje nuk do të mbetet pa një të punësuar. Krijimi e zonës së lirë ekonomike në Frashër, as atë nuk e keni ba. Pastaj zhvillimin e blegtorisë në rajonin e Shalës. Çfarë keni bërë për Shalën? Pastaj pikën grumbulluese të qumështit as atë nuk e keni ba. Keni thënë 104 milionë euro investime me partnerë nga Azia e Evropa në fazën e parë e më pastaj keni thënë 220 milionë euro”, e ka pyetur kryetarin aktual Valdete Idrizi, gjatë një përballjeje me të. “E tash çka kemi? Varfëria është thellua, numri i familjeve me asistencë është rritur, janë tërheq investitorët. E kam me emër kompaninë që është tërhequr për shkak të zhagitjeve në zonën e lirë ekonomike”.

Ajo ka premtuar se nëse arrin të fitojë në raundin e dytë do të ofrojë transparencë dhe nivel të lartë të llogaridhënies dhe përgjegjshmëri, sepse, sipas saj, këto kanë munguar.

“Prioritet do ta kemi krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë, duke mbështetur idetë e tyre përmes fondit të punësimit, krijimin e kompleksit me biznese artizanale në Stantërg, subvencionimin e bujqësisë dhe krijimin e lehtësirave për biznese, duke u ofruar ambient sa më të mirë për të bërit biznes në Mitrovicë”, ka thënë Valdete Idrizi.

Ajo ka premtuar edhe banesa në partneritet publiko-privat dhe po ashtu në programin për qeverisje në mandatin 2017-2021 ka thënë se planifikohet të gjenden fonde për rindërtimin e 300 shtëpive në lagjet e veriut, në mënyrë që banorët të mundë të kthehen në shtëpitë e veta.

Por në një përballje me Idrizin, Agim Bahtiri i ka thënë asaj se PDK-ja nuk kishte bërë gjë tjetër gjatë kohës që ka qeverisur në Mitrovicë pos një fabrike e cila numëron 15 pula.

“Ju keni qenë 3 mandate në qeverisje, a e batë zonën e lirë ekonomike? Jo. E kam premtua edhe e kam ba. Më 25 maj 2014 e kam certifikua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ajo zonë i kërkon 5 milionë euro për t’u rrumbullakuar me infrastrukturë, unë nuk kam pasë mbështetje nga Qeveria e Kosovës. Komuna nuk ka kapacitet për me i dhanë 5 milionë për një zonë ekonomike. Ne ua kemi ndarë 10 hektarë kompanive që të investojnë dhe ua kemi dhënë 20 kompanive për 99 vite për të ndërtuar fabrikat aty...”, ka thënë ai.