Zgjedhjet lokale

Idrizi zotohet se do ta ndryshojë Mitrovicën, prioritet agjenda ekonomike

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, sot ka zhvilluar takime në disa lokalitete, me qytetarë e pronare të salloneve të ondulimit, gratë në Vinarcë si dhe me biznesmenë e ndërmarrës në Mitrovicë.

Idrizi në takimin me gratë në Vinarcë, ka thënë se ajo ka program të qartë për nënat vetmbajtëse dhe gratë në biznes, duke theksuar se ato do të gjejnë përkrahje të fuqishme në Qendrën e Inivacionit dhe Ndërmarrësisë.

“Ne, kemi programe të veçanta për gratë, për nënat vetëmbajtëse dhe gratë në biznes. Ato do të gjejnë përkrahjen e fuqishme në Qendrën e Inovacionit dhe ndërmarrësisë. Gratë do ta ndihmojnë dhe përkrahin fuqishëm ndryshimin”, ka thënë Idrizi. Ajo ka shtuar se gratë po e mbështesin ndryshimin në Mitrovicë.

“Mitrovica ka një histori të begatë të punës, prodhimit, industrisë, ndërmarrësisë të njohur në vend, Ballkan e më gjerë”, ka thënë Idrizi, gjatë takimit me ndërmarrës, duke shtuar se Mitrovica është po e njëjta me mundësi dhe se mitrovicasit janë gati për të

“Më 19 nëntor, me qasjen time proaktive, bashkëpunuese, do të sjellim me qytetarët ndryshim në investime, lehtësimin e të bërit biznes, subvencionimin dhe investimet nga niveli qendror, për Qendrën e inovacionit dhe ndërmarrësisë”, ka thënë ndër të tjera Idrizi.

Ajo në takimet me biznesmenë, ndërmarrës e punonjës është zotuar për ta ndryshuar Mitrovicën, duke çuar përpara agjendën e zhvillimit ekonomik, rifilluar me intensitet punën, investimet dhe mundësitë e reja.

Gjatë ditës, Idrizi ka zhvilluar takime në lagjen Ilirida, Ura e Gjakut, në Kçiq dhe lagjen 2 Korriku dhe disa takime tjera.