Zgjedhjet lokale

VV në Obiliq: S’kemi marrëveshje me AAK-në - persona të shkarkuar nga partia e bënë marrëveshjen

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, përmes një reagimi dërguar mediave, ka informuar se nuk ka asnjë marrëveshje me AAK-në për zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen me date 19 nëntor 2017.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë ka dalë me komunikatë zyrtare me datë 08.11.2017, ku ndër të tjera është thënë: “Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq, duke e parë si të pamundur realizimin e programit tonë qeverisës përkrah kandidatëve që janë tashmë në balotazh në Obiliq, ka vendosur që të mos e mbështes asnjë kandidat, duke pasur parasysh se po të njëjtit janë shkaktarë të djeshëm të degradimit të komunës sonë dhe nuk shpërfaqin shpresë për përmirësimin e gjendjes”.

Kjo komunikatë zyrtare është ricekur edhe sot në faqen zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje në rrjetin social Facebook.

“Të gjitha pretendimet individuale, qoftë edhe të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë në kundërshtim me qëndrimin zyrtar, nuk janë në përputhje me Statutin e organizatës sonë dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin tonë. Dy personat që janë thirrur si bartës të kinse një marrëveshjeje të paraqitur në disa media sot për mbështetjen e kandidatit të AAK-së, Xhafer Gashi, nga ana e Vetëvendosje, Abdyrrahman Krasniqi – i shkarkuar nga Lëvizja Vetëvendosje në qershor të vitit 2017, dhe Ali Nimani - i shkarkuar dhe përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në fund të rrethit të parë zgjedhor), nuk përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje në Obiliq”, thotë Vetëvendosje përmes një reagimi dërguar mediave.