Zgjedhjet lokale

Ahmeti: Të krijojmë hapësira dhe kushte sa më të mira për pensionistët

Descriptive Text

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, njëherësh kryetar i saj, Shpend Ahmeti bashkë me Selim Pacollin takuan sot përfaqësuesit e pensionistëve në Prishtinë, me të cilët diskutuan për lehtësimet që i ka bërë Komuna për këtë kategori si dhe për planet në të ardhmen, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Çdo muaj, Komuna e Prishtinës i jep nga 10.000 euro në Trafik Urban, për ta subvencionuar kështu udhëtimin pa pagesë të pensionistëve në linjat publike. Po ashtu, është punuar për lirimin nga pagesat për shërbime komunale administrative, si dhe për kujdesin e mëtutjeshëm shëndetësor ndaj tyre”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se, “për këtë kategori të veçantë të shoqërisë sonë, tashmë është në përfundim e sipër renovimi i objektit që do të shndërrohet në qendër shumë të përshtatshme të socializimit. Kjo Qendër e Pensionistëve do të jetë në lagjen Topahne. Kurse, së shpejti do të nisin punimet për krijimin e një këndi të ngjashëm edhe në lagjen Ulpiana”.