Zgjedhjet lokale

Ismajli VS Rashiti në Shtime

Descriptive Text

Balotazhi i 19 nëntorit në Komunën e Shtimes do t’i përballë Naim Ismajlin, kandidat nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar aktual i kësaj komune, i cili në rundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit ka marrë gjithsej 4 mijë e 983 vota apo 38.61 për qind, dhe Fatmir Rashiti, kandidat i pavarur, me 3 mijë e 474 vota apo me 26.92 për qind.

Ndonëse këto dy figura politike për 3 mandate rresht ishin së bashku në krye të detyrës si kryetar dhe nënkryetar komune, madje po nga e njëjta parti politike (PDK). Ambiciet e këtyre dy figurave politike për të kandiduar për kryetar komune nga radhët e PDK-së e kanë shkaktuar këtë ndarje.

Përveç ndarjes së tyre si udhëheqës të PDK-së dhe të Komunës së Shtimes, Ismajli dhe Rashiti, gjatë periudhës së fundit kohore vazhdimisht kanë ngritur akuza mjaft të rënda midis njëri-tjetrit për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike, madje akuza të rënda kanë ngritur edhe për punësime të ndryshme mbi baza familjare e politike.

Naim Ismajli, kundërkandidati i tij nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Shtimes për 3 mandate rresht, ka thënë se do të vazhdojë ta ngrejë edhe më tej zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe zhvillimin rural, pastaj arsimin , kulturën dhe sportin, duke mos e anashkaluar shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, ambientin dhe infrastrukturën në përgjithësi.

“I kemi paraparë prioritetet esenciale edhe nxitjen e rritjes së shpejtë nё investimet private vendëse dhe identifikimi i potencialeve ekonomike në të gjitha fushat, duke favorizuar ato tё cilat janë mё tё vlefshme nё mënyrë qё ta stimulojnë avancimin e tyre. Gjithashtu do të shfrytëzohen mundësitë reale për shtimin e prodhimtarisë bujqësore, për plotësimin e nevojave të popullsisë lokale dhe për ruajtjen e tokës bujqësore nga ndërtimet me tjetër destinim, përmirësimin e infrastrukturës në bujqësi, zhvillimin e turizmit rural, shfrytëzimin e programeve për bujqësi nga komunat partnere ndërkombëtare dhe donatorë të tjerë”, ka thënë Ismajli.

Ai është zotuar se për 4 vjetët e ardhshëm do ta finalizojnë objektin kapital të palestrës sportive, do të ndërtojë terrene sportive në të gjitha shkollat dhe në të gjitha fshatrat si edhe do të bëhet ndërtimi i një qendre kulturore në Shtime, e cila do të mundësojë aktivitetet kulturore në Komunën e Shtimes.

Ndërkaq Fatmir Rashiti, kandidat i pavarur, tashmë ka mbledhur afër vetes një pjesë të elektoratit të PDK-së, ndërkaq ka lidhur koalicion mbështetës edhe me partitë e tjera si: AAK, Nisma për Kosovën, AKR dhe Lëvizja për Bashkim dhe së fundi Lidhjen Demokratike të Kosovës. Rashiti ka akuzuar kundërshtarin e tij për keqmenaxhim të parasë publike, derisa mësimi gjithëditor në SHF “Emin Duraku” ka dështuar, pastaj shumica e fshatrave nuk e kanë të përfunduar rrjetin e kanalizimeve, ujësjellësin dhe infrastrukturën përcjellëse.

Rashiti ka thënë se programi i tij rëndësi të veçantë i ka kushtuar zhvillimit ekonomik përmes të cilit do të rritet mirëqenia e qytetarëve në të gjitha fushat e jetës duke përmirësuar në përgjithësi cilësinë dhe shërbimet ndaj qytetarëve. “Pikënisje për një përkufizim të ri të Shtimes duhet të gjendet te krijimi i vendeve të reja të punës nëpërmjet zhvillimit të sektorit të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, bujqësisë etj. Prandaj gjatë mandatit tim 4-vjeçar prioritet do ta kemi rritjen e cilësisë së arsimit të cilën deri tashti e ka degraduar kryetari aktual.

Shtimja do të jetë një komunë transparente me shëndetësi profesionale, me administratë cilësore, me transparencë në çdo konkurs publik, barazi gjinore, pastaj me pjesëmarrje të rinisë në vendimmarrje etj.”, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, do ketë garantim të sigurisë juridike për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë, efiçiente dhe të përgjegjshme, duke organizuar drejtësinë si një shërbim të sigurt e të arritshëm nga të gjithë, dhe duke respektuar të drejtat e qytetarëve si të patjetërsueshme.

“Për t’u larguar nga PDK-ja dhe për të kandiduar si i pavarur këtë vendim e mora edhe se pata pёrkrahje tё parezervё nga mё shumё se gjysma anёtarёve tё PDK-së, mirёpo rol vendimtar pati edhe përkrahja dhe mbështetja e plotë dhe e fuqishme e 4 subjekteve politike”, ka thënë Rashiti.