Zgjedhjet lokale

PDK në Klinë kërkon sqarim nga BE-ja për rolin e saj në balotazh

Duke u bazuar nga komunikata zyrtare e Degës së AAK-së në Klinë, të publikuar në rrjetin social Facebook, AAK - Dega në Klinë, rreth vizitë së përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Degën e AAK-së, më 13 nëntor 2017, del hapur se përfaqësuesit e BE-së, janë në përkrahje të kandidatit të AAK-së për kryetar Komune, Zenun Elezaj.

Kështu thuhet në njoftimin e zyrës së PDK-së, dega në Klinë.

“Kërkojmë sqarime nga zyra e BE-së në Kosovë rreth pozicionit të tyre në këto zgjedhje dhe rreth kësaj komunikate të AAK-së, meqenëse janë parafrazuar në të dhe a janë të vërteta pohimet e thëna në komunikatën e AAK-së. A është misioni i tyre vetëm vëzhgues apo përkrahës të njërit apo kandidatit tjetër për kryetar komune në Klinë? Në bazë të deklaratës së degës së AAK-së, del se përfaqësuesit e BE-së, Toril Lund nga Norvegjia dhe Antonio Villacis nga Estonia mbështesin kandidatin e AAK-së”, thekson PDK.

Sipas tyre, misioni i BE-së në këtë proces është vetëm monitorues, vëzhgues të fushatës elektorale dhe procesit të votimit.

“Prandaj kërkojmë nga zyrtarët e BE-së që të sqarojnë këtë rast. Pikërisht këta zyrtare të BE-së, janë takuar dy herë me kryetarin e Komunës dhe kandidatin e PDK-së, Sokol Bashota, dhe kanë treguar se roli i tyre është vetëm si vëzhgues. Por sipas komunikatës së AAK-së, ata publikisht qenkan deklaruar se mbështesin kandidatin e AAK-së. Dega e PDK-së në Klinë, ka raporte shumë të mira me përfaqësuesit e BE dhe ka mirëpritur rolin e tyre në procesin zgjedhor”, thuhet në fund të njoftimit.