Qytetarët do të votojnë për herë të tretë me radhë brenda këtij viti në zgjedhjet e balotazhit të së dielës, pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe rundit të parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.
Në balotazhin e 19 nëntorit, kutive të votimit do t’u drejtohen 1 milion e 353 mijë e 613 qytetarë me të drejtë vote, raporton KTV.
Shoqëria civile dhe njohës të qeverisjes lokale, thonë se me të përfunduar zgjedhjet e balotazhit, duhet nisur ndryshimet për reformën zgjedhore.
Besnik Tahiri nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, thotë se mbajtja apo jo e balotazhit i ka përparësitë dhe mangësitë e veta, por e sheh të nevojshme heqjen e tij.
Valmir Ismajli nga “Demokracia Plus”, mendon se për t’u larguar balotazhi duhet të bëhet edhe reforma zgjedhore. Me këtë, sipas tij, do të kurseheshin edhe paratë e shtetit.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk e ka komentuar se a duhet apo jo të hiqet balotazhi.
Ajo ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e balotazhit, që do të mbahen në 19 komunat e Kosovës.
Përveç Pejës, komunat e tjera të mëdha do të shkojnë në balotazh për të zgjedhur të parin e komunës. LDK-ja garon në 12 komuna, PDK-ja në 9, Vetëvendosje në 6 komuna, AAK-ja në 5 komuna, ndërsa AKR-ja, Nisma dhe Alternativa garojnë me nga një komunë.
Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme më 11 qershor, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 4 milionë e 944 mijë e 900 euro.
Për zgjedhjet lokale të 22 tetorit janë ndarë nga buxheti i shtetit 6.1 milionë euro, por kjo shifër mund edhe të rritet deri në shpalljen përfundimtare edhe të rezultatit të zgjedhjeve të balotazhit.
Në total, dy palë zgjedhjet i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 11 milionë euro.
-
13 nëntor 2017 20:15
-
Shpërndaje në: