Zgjedhjet lokale

Basri Kodra fton bashkëqytetarët: Votoni numrin 10, ta shpëtojmë Kaçanikun

Në tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik, kandidati për kryetar, Basri Kodra, filloi fjalën e tij duke e quajtur këtë komunë vend të kulturës dhe historisë, të mikpritjes dhe dashamirësisë dhe të qëndresës e lavdisë.

Udhëheqësit e deritanishëm të komunës, ai i quajti të paudhë, kurse i kritikoi për mungesë projektesh, teksa tha se në vend të tyre kanë sjellë vetëm dërdëllitje.

“Programi ynë qeverisës përmban projektin për zhvillimin e Kaçanikut me një arsyeshmëri të skajshme, ngase mbështetet në burime të patjetërsueshme të cilat posedon vendi e të që paraqesin përparësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Malet me fusha, lumenjtë me gryka, kodrat me suka, dhe historia me legjenda, i mundësojnë vendit tonë zhvillimin e turizmit malor/mjedisor dhe historik/kulturor”, u shpreh Basri Kodra.

Më tej, ai tha se gjatë qeverisjes së tij do të restaurohet çarshia e vjetër, për të cilën tha se bashkë me kështjellën e xhaminë mesjetare, me dyqane artizanale, me muzeun historik/arkeologjik e rrugën e shtruar me kalldrëm, do të përbënte kompleksin e qendrës historike të qytetit. Kurse, në lidhje me zhvillim e bujqësisë, Kodra u zotua sedo ta ketë hapësirën e rezervuar në bazën logjistike/tregtare për të tregtuar me këto prodhime e po të njëjtat do t’i ofrohen edhe sheshit të qytetit në ditët dhe orët e caktuara nga vetë komuna.

“Kundërkandidatin tim nuk e shqetëson as historia kriminale e partisë, as gjendja e tanishme e rëndë e shoqërisë. Nuk e shqetëson as e ardhmja e vendit kur vetëdeklaron në mënyrë pasive, se Kaçaniku do të shndërrohet në një varrezë masive. Nuk e shqetëson në urbanizëm gjendja kaotike, as në arsim situata katastrofike. Kur u zu ngushtë për shkatërrimet e bëra në një shkollë totalisht të pamenaxhuar nga drejtori servil i partisë së tij, paturpësisht fajësoi profesorin e përjashtuar për 6 vite politikisht”, tha ndër të tjera Kodra, teksa ka folur për kundërkandidatin e tij nga PDK-ja, njëherësh kryetar aktual i Kaçanikut.

“Ne do të përqendrohemi në zbatimin e metodave më të avancuara të mësimit, nën kushte më të volitshme dhe moderne të ngrohjes, pastërtisë, estetikës, laboratorëve, fushave sportive, mësimit të programeve kompjuterike, e kështu me radhë, përderisa në nivel parashkollor do të kujdesemi për ushqimin dhe shëndetin e fëmijëve. Kështu, arsimin parashkollor do e vëmë në funksion të shëndetit, mësimin fillor në funksion të dijes, ndërsa arsimin e mesëm në funksion të dijes, zhvillimit, shëndetit dhe përparimit. Do hapen degë të reja në profilet profesionale si teknik medicinal e fizioterapi, ashtu sikundër për tregti, turizëm e bujqësi”, ishin disa nga zotimet në lëmin e arsimit, të cilat Kodra i shpalosi para kaçanikasve.

E në lidhje me shëndetësinë, Kodra tha se kryetari aktual ndonëse është mjek, e sëmuri shëndetësinë, e privatizoi atë duke e bërë xhaxhanë e tij drejtor dhe e pakësoi stafin mjekësor duke e varfëruar shërbimin shëndetësor.

“Ne do i kushtojmë kujdes të veçantë ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Pacienti në qendër të vëmendjes e Qendra e Mjekësisë Familjare në funksion të pacientit. Do funksionalizojmë të gjitha pikat e saj, në qytet e në të gjitha fshatrat. Sepse ne Kaçanikun e shohim si tërësi, dhe jo të ndarë në fshatra e qytet. Do i plotësojmë vendet me mjek e punonjës shëndetësor si dhe me aparatura të nevojshme dhe moderne. Do zgjerojmë shërbimin dhe do shtrijmë kujdesin në secilin cep të Komunës tonë. Do e shfrytëzojmë klimën që na e ka dhuruar Zoti, për shërim, rehabilitim, e punësim”, ishin zotimet e tij për shëndetësinë.

“Për kulturë këta s’kanë lidhje – me dhënë një shfaqje u duket palidhje. Ndërsa kur dikush u flet për sport, thonë që ajo punë është krejt kot”, tha Kodra teksa foli për sportin e kulturën, duke premtuar tutje rikthimin e kinemasë, themelimin e Teatrit të Qytetit e përkrahje për klubet sportive të kësaj komune.

Në fund, Kodra tha se Vetëvendosje, LDK, AAK, Nisma, dhe aktivistë të shoqërisë civile e intelektualë të pavarur, të vetëdijshëm për burimin e së keqes në Kaçanik, janë bashkuar që këtë ligësi ta shkulin si dhëmbin e kalbur. Ai ftoi kaçanikasit të votojnë për ndryshim, duke e cilësuar këtë si të vetmen mënyrë për ta shpëtuar komunën.

Më 19 nëntor, të gjithë bëhuni pjesë e këtij bashkimi, dhe votoni për ndryshim historik. Votoni për shpëtimin e komunës tonë.

“Jepini jetë Kaçanikut tonë! 19 nëntori është shans. 19 nëntori është shpresë. Më 19 nëntor ne të gjithë të votojmë për ndryshim, për jetë e zhvillim, për rilindje e çlirim. Numri 10 është shpëtim. Numri 10 i jep jetë Kaçanikut tonë”, ishte porosia e Basri Kodrës në tubimin qendror.

Ymeri në Kaçanik: Basri Kodra është zgjedhja më e mirë për Kaçanikun sepse është zgjidhja për problemet e Kaçanikut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë në tubimin zgjedhor qendror në Kaçanik se ka një kohë shumë të gjatë që Kaçaniku është lënë pas dore.

“I nëpërkëmbur e i harruar, herë në kthetrat e korrupsionit e herë në dorën e krimit. Boll keni duru e keni prit. Këto zgjedhje ishin një proces i gjatë e i vështirë. Sikur ai guri i rrumbullakët shumë i madh e i rëndë që e shtyjmë bregut përpjetë. Tash jemi në fazën e fundit. Gurin e kemi sjellë deri afër majës së bregut. Na duhet vetëm edhe një e shtyme. Që ta rrokullisim te poshtë. Pra, hajde ta rrokullisim PDK-në teposhtë”, tha Ymeri para kaçanikasve.

Më pas, Ymeri ka thënë se është koha që Kaçaniku ta ketë në krye njeriun i cili është shuma e virtyteve më të larta që mund t'i ketë dikush. Ai tha se Basri Kodra është njeri i mirë e i ndershëm, i drejtë e i sinqertë, bujar e solidar, i guximshëm e i palëkundur.

“Aktivisti shembullor i cili u rreshtua përkrah Lëvizjes që në orët e para, i cili i qëndroi besnik Lëvizjes gjithmonë, i cili u angazhua me gjithë kapacitetin e tij për të jetësuar qëllimet e Lëvizjes, i cili nuk u lodhë asnjëherë, e i cili e do Lëvizjen përherë. Qytetari aktiv i cili e do Kaçanikun, i cili punon për Kaçanikun, i cili bashkëpunon me qytetarët e Kaçanikun, e për të cilin kanë respekt gjithë bashkëqytetarët e tij nga Kaçaniku. Profesori i ditur e i mençur, të cilin pushteti nisi ta persekutojë duke e larguar padrejtësisht nga puna për shkak të bindjeve të tij politike, por që me vendosmërinë e tij nuk u dorëzua, dhe fitoi këtë betejë ndaj zhvatësve e nepotistëve”, ka thënë po ashtu Ymeri teksa ka folur për Kodrën.

Tutje, ai tha se Kodra është shembull me përkushtimin, angazhimin politik dhe konsistencën e tij, si tha se duke qenë përherë me qytetarët, pranë qytetarëve e duke u angazhuar përditë në komunitet, e njeh Kaçanikun, i di problemet e tij dhe i ka të qarta nevojat e qytetarëve të Kaçanikut.

“Basriu ka qenë zëri i qytetarëve të Kaçanikut në çdo moment. Ndërsa, duke qenë i tillë, tash është momenti që ai të jetë kryetari i Kaçanikut. Basriu është zgjedhja më e mirë për Kaçanikun. Sepse Basriu është zgjidhja për problemet e Kaçanikut. Kaçaniku ka shumë probleme, por Basriu ka shumë përkushtim e vullnet që bashkë me qytetarët atyre t'iu japë zgjidhje”, shtoi më pas Ymeri.

“Kaçaniku ka shumë të papunë, por një kryetar punëtor si Basriu do të jetësojë politika që sjellin zhvillim e punësim. Kaçaniku ka shumë krim e korrupsion, por një kryetar i ndershëm e i drejtë si Basriu do ta çrrënjosë krimin e korrupsionin. Kaçaniku ka arsim të dobët e të kapur, por një profesor i shkelqyeshëm si Basriu do ta rrisë cilësinë e mësimit nëpër shkolla, ta përmirësojë infrastrukturën e tyre, dhe para se gjithash ta departizojë duke e çliruar nga injorantët. Kaçaniku ka shërbime shëndetësore të dobëta, por një kryetar i vendosur që t'i shërbejë qytetarëve të tij, do ta rrisë kualitetin e këtyre shërbimeve. Kaçaniku ka mendje e e zemër. Ato janë te Basri Kodra. Ato janë te numri 10. Te Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë në fund Visar Ymeri, në tubimin zgjedhor në Kaçanik.

Kurti: Basri Kodra është shpresa dhe mundësia për Kaçanikun

Deputeti Albin Kurti ka ftuar qytetarët e Kaçanikut në tubimin zgjedhor të mbajtur në këtë komunë, që të bëhen bashkë dhe me 19 nëntor, t’ia japin besimin në garën e balotazhit Basri Kodrës. Ai ka thënë se qyteti, fshati e mërgata duhet të bëhen bashkë për ndryshimin në balotazh.

“Kurrë nuk ka qenë me e qartë, kurrë nuk ka qenë më kollaj. Ne besojmë në Basriun. Basriu është shpresa jonë. Basriu është besa jonë. Basriu është i pari. Basriu është kryetari”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Ai tha më tej se Basri Kodra ka plan se si të zhvillohet Kaçaniku, duke përmendur zotimet për subvencionimin e bujqësisë e blegtorisë, si dhe atë për zhvillimin e turizmit, me theks të veçantë turizmit shëndetësor. Kurti u shpreh i bindur se Basriu mund t’i bëjë këto, duke thënë se Basriu beson në qytetarët, teksa për kundërkandidatin e tij, Besim Ilazin e PDK-së, tha se mendjen e ka tek paraja.

“Kryetari Basri Kodra është shpresa dhe mundësia, është ideja dhe zbatimi, qëndresa dhe ndryshimi, që i duhen Kaçanikut. Basriu është puna dhe përpjekja, dija dhe shkathtësia, qytetari dhe atdhetari, në renditje i pari, në votime fitimtari”, ka thënë po ashtu deputeti Kurti gjatë tubimit zgjedhor në Kaçanik.

Ai shtoi më tej se këtë javë nuk duhet ta shohim si javë të rëndomtë, por ftoi për mobilizim mbarëkomunal për ndryshime me 19 nëntor. Kurti tha se gjatë kësaj jave duhet të punohet që të largohet frika, të kthehet dinjiteti e të rimëkëmbet besimi.

“Basri Kodra është i afërt me juve, e i paarritshëm për kundërkandidatin. Basri Kodra është kodra që s’mund ta shkelin. Është kodra që s’mund t’i ngjiten. Është kodra që ndalë stuhitë. Vëllezër e motra, këta hajna i ndalë vetëm Basri Kodra”, ishte porosia e Kurtit në Kaçanik.