Zgjedhjet lokale

Koalicionet s’do të kenë ndikim të madh në orientimin e elektoratit

Avni Mazrreku, analist i rrethanave politike dhe profesor i së Drejtës Evropiane, ka komentuar zhvillimet politike në vend, procesin e garës së balotazhit, punën e qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj dhe procesin integrues të vendit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Mazrreku ka thënë se shumica e koalicioneve që janë arritur nuk do të ndikojnë tek elektorati i tyre më 19 nëntor.

Ai ka pohuar se përvojat në demokracinë e re të Kosovës kanë treguar se koalicionet nuk kanë arritur ta orientojnë elektoratin e tyre në funksion të një kandidati apo partie të caktuar.

Mazrreku ka theksuar se Haradinaj si kryeministër i ka sjellë dinamizëm të ri qeverisjes së vendit. Kurse sa i përket procesit integrues, ai ka thënë se Kosova duhet të bëjë një strategji përmes së cilës do t’i qaset njohjes së pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin tonë.

“E gjithë fushata elektorale për zgjedhjet lokale është karakterizuar nga një atmosferë e qetë, prandaj pres që edhe këto pesë ditë të zhvillohen në këtë frymë. Natyrisht se kjo fushatë nuk do të jetë aq intensive sa ka qenë fushata për zgjedhjet e 22 tetorit, për faktin se tani konkurrojnë vetëm kandidatët për kryetar të komunave e jo edhe kandidatët për asamble komunale. Tani gara është shumë e ngushtë, pra zhvillohet në mes të dy partive, përkatësisht në mes të kandidatëve të cilët kanë marrë më së shumti vota në raundin e parë të zgjedhjeve. Prandaj fushata për balotazh do të jetë më e thjeshtë dhe më pak intensive, kurse premtimet gjithmonë janë më të mëdha sesa kapacitetet që kanë komunat dhe kandidatët për kryetar për t’i realizuar ato premtime”, tha Mazrreku.