Zgjedhjet lokale

Koalicionet e zyrtarizuara për balotazh

Nesër fillon fushata zyrtare për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 19 nëntor, e partitë politike kanë bërë koalicione me partitë që nuk janë pjesë e balotazhit për të arritur të fitojnë në ato komuna ku garojnë.

Balotazh do të ketë në 19 komuna, e shumica e kandidatëve që garojnë për këto komuna kanë zgjedhur që balotazhit të mos i futen të vetëm. Por, që ka edhe nga ata kandidatë që kanë deklaruar se në balotazh do të hyjnë “në koalicion vetëm me qytetarin”.

Kështu, në Prishtinë, balotazhi do të mbahet në mes të kryetarit aktual Shpend Ahmeti të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi. Që të dy kandidatët kanë bërë koalicione me partitë të cilat kanë mbetur jashtë garës për balotazhin e 19 nëntorit. Shpend Ahmeti i VV-së ditë më parë ka bërë marrëveshje me kandidatin e AKR-së Selim Pacolli. Ndërkaq, Arban Abrashi i LDK-së ka bërë marrëveshje me kandidatin e AAK-së Arbër Vllahiu.

Për qytetin e Mitrovicës do të përballen kryetari aktual dhe kandidati i AKR-së Agim Bahtiri dhe Valdete Idrizi e PDK-së. Kjo e fundit ka bërë marrëveshje me AAK-në, ndërsa Bahtiri ka arritur marrëveshje me Alternativën dhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërsa në Prizren gara do të zhvillohet në mes Shaqir Totajt të PDK-së dhe Mytaher Haskukës nga VV. Kandidati i PDK-së ka arritur koalicion me AAK-në, me partinë turke KDTP dhe koalicionin e boshnjakëve VAKAT. Kurse, kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka, ka arritur marrëveshje me kandidatin e Nismës për Kosovën, Zafir Berishën, shkruan KP.

Për Kamenicën garojnë Qëndron Kastarati i VV-së dhe Shaip Surdulli i LDK-së. Kastrati i cili ka dalë kandidati më i votuar për Kamenicën ka bërë koalicion me AAK-në, ndërsa Surdulli ka bërë koalicion me PDK dhe me AKR-në.

Në Ferizaj balotazhi do të jetë në mes kryetarit aktual Muharrem Svarqa të LDK-së dhe Agim Aliut të PDK-së. Svarqa ka arritur koalicion me AKR-në, ndërkaq Aliu deri më tani dihet se do të garojë i vetëm.

Në Vushtrri përballja do të jetë në mes Ferit Idrizit nga PDK-ja dhe Xhafer Tahirit nga LDK-ja, ku edhe këta dy kandidatë kanë bërë koalicionet e tyre për një rezultat pozitiv në balotazhin e 19 nëntorit. Idrizi i PDK-së ka bërë koalicion me AAK-në, Lëvizjen për Bashkim dhe Partinë e Drejtësisë. Ndërkaq, Tahiri ka bërë koalicion me AKR-në, e takime dhe bisedime ka pasur edhe me Vetëvendosjen, por që koalicion zyrtarisht ende nuk kanë bërë.

Gara për Istogun do të zhvillohet në mes Haki Rugovës së LDK-së dhe Gani Dreshajt të AAK-së. I pari ndonëse ka thënë se është në bisedime për ndonjë koalicion deri më tani nuk ka zyrtarizuar një të tillë. Ndërsa, Dreshaj i AAK-së ka bërë koalicion me kandidatin e pavarur Arif Elshani.

Për Shtimen do të garojnë Naim Ismajli nga PDK dhe Fatmir Rashiti kandidat i pavarur. Ky i fundit ka marrë mbështetje nga LDK-ja, AAK-ja, LVV dhe Nisma për Kosovën.

Për komunën e Podujevës, do të përballen kryetari aktual Agim Veliu nga LDK dhe Ajet Potetra nga LVV. Veliu ka bërë të ditur se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti, ndërkaq Potera i VV-së ka thënë se është në bisedime, por që ende nuk ka ndonjë rezultat zyrtar.

Në Gjilan në balotazh do të përballen kryetari aktual Lutfi Haziri i LDK-së me Sami Kurteshin e Vetëvendosjes. Haziri ka bërë të ditur se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti dhe se garën edhe për një mandat në krye të Gjilanit do ta bëjë i vetëm.

Për Gjakovën, do të përballen kryetarja aktuale dhe kandidatja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila dhe kandidati i AAK-së Ardian Gjini. E para ka bërë të ditur se janë dakorduar të vazhdojnë bashkëpunimin me LDK dhe Vetëvendosjen, por që deri më tani nuk kanë bërë asgjë zyrtarisht.

Në Obiliq do të përballen kryetari aktual Xhafer Gashi i AAK-së dhe Mehmet Krasniqi nga LDK-ja. Që të dy kanë deklaruar se janë në bisedime me partitë e tjera, por që deri më tani nuk kanë bërë zyrtar ndonjë koalicion.

Ndërsa në Kaçanik garojnë Besim Ilazi nga PDK-ja dhe Basri Kodra nga VV.

Në Rahovec në raundin e dytë zgjedhor do të përballen Smajl Latifi nga AAK-ja dhe Idriz Vehapi i PDK-së, e që asnjëri deri më tani nuk kanë bërë të ditur se kanë bërë ndonjë koalicion.

Edhe në Suharekë ku do të përballen Bali Muahrremaj nga AAK dhe Sali Asllanaj nga LDK, nuk ka ndonjë konfirmim për ndonjë koalicion.

Në Klinë përballja do të jetë në mes Sokol Bashotës së PDK-së dhe Zenun Elezaj të AAK-së. Dega e Aleancës Kosova e Re dhe Bashkësia e Degëve të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës në Komunën e Klinës, do ta mbështesin kandidaturën e kandidatit të degës së PDK-së, Sokol Bashota për kryetar të Komunës së Klinës në balotazh më 19 nëntor.

Ndërkaq, për Malishevën do të përballen Ragip Begaj nga Nisma dhe Mursel Gashi nga PDK, ku as këta nuk kanë bërë të ditur se kanë arritur ndonjë koalicion.

Nesër do të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore dhe do të zgjasë deri të premten, ndërsa balotazhi do të mbahet me 19 nëntor.