Zgjedhjet lokale

Kurteshi shpalos programin për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, sot ka shpalosur programin e tij për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan, për të cilin tha se është problemi më i madh në këtë qytet.

Kurteshi tha se kostoja e projektit për largimin e erës së ujërave të zeza në Gjilan kap shifrën 10 milionë euro dhe kjo do të realizohet për katër vitet e ardhshme.

Por Kurteshi theksoi se së pari i duhet ndihma e qytetarëve pa dallim për largimin, siç u shpreh, të qeverisjes së keqe në Gjilan, përcjell ksp.

Sipas tij qeverisja e kaluar nuk ka bërë asgjë për trajtimin e ujërave të zeza.

Kurteshi theksoi se me këtë projekt do të ndërtojnë impiante të vogla që nuk kushtojnë më shumë se 250 mijë euro dhe kanë kapacitete për 10 mijë banorë. Ai theksoi se sipas projektit do të ndërtohen dhjetë impiante.