Zgjedhjet lokale

Haliti me mandat të përtërirë në Viti, thotë do të realizojë edhe premtimet e reja

Kur shumica e komunave tjera kanë shkuar në balotazh, Vitia e ka zgjedhur kryetarin e saj qysh në raundin e parë.

Kryetari Sokol Haliti, që vjen nga LDK, tha se kjo është arritur falë punës dhe progresit që ky qytet ka përjetuar nën menaxhimin e tij gjatë katër viteve të kaluara.

Madje Haliti thotë të ketë arritur të fitojë pa balotazh pa ndihmën e asnjë subjekti politik tjetër, në saje të progresit të gjithëmbarshëm të Vitisë dhe besimit të qytetarëve.

“Unë mendoj që qytetarët e Vitisë kanë ndihmuar. Partia Demokratike dhe të gjitha partitë e tjera kanë qenë në garë dhe nuk ka pasur mundësi si të ndihmojë partinë kundërshtare në këtë rast. Kanë ndihmuar qytetarët dhe ka qenë një plebishit qytetarë për punën e mirë që është bërë dhe progresin në këto katër vite”, tha ai.

Në një intervistë për KosovaPress, ai ka përmendur disa të arritura të qeverisjes së tij, duke i vënë theks të veçantë realizimit të premtimeve gjatë mandatit të kaluar.

“Ne sipas institutit GAP dhe gjitha instancave të tjera që kanë matur performancën, ne kemi qenë komuna numër një që i kemi realizuar premtimet gjatë katër vjetëve të kaluara. Ne kemi realizuar 100 për qind premtimet dhe po vazhdojmë të punojmë që nga e hëna për punët që kanë mbetur për shkak se progresi dhe vazhdimësia duhet të ruhet në Viti.

Natyrisht Vitia ka marrë pamje tjetër, tek e fundit kjo është esenca pse është votuar kjo qeverisje dhe programi qeverisës që ne e kemi ofruar për shkak se kemi pasur një program shumë eksplicit me burime të financimit, të realizueshëm dhe të nevojshëm për qytetarët. Tek e fundit është program i përbashkët me qytetarët, me këshillat e fshatrave, me të gjitha vendbanimet, 40 vendbanimet në Viti, theksoi ai.

Megjithatë, Haliti thotë se qyteti i Vitisë ka ende deficite, të cilat shpreson t’i eliminojë bashkë me donatorët, nivelin qendror dhe nivelin lokal. Ai premton se do të ofrojë klimë biznesi në komunën që e drejton.

“Puna pa dallime në të gjitha vendbanimet, eliminimi i të gjitha deficiteve që kemi, qoftë në sferën higjieno-sanitare, kanalizim, ujë. Natyrisht këto ditë kemi filluar edhe gypin e azbestit, ndërrimin prej Letnicës deri në Viti, do të mundohemi t’i shtojmë kapacitetet e ujit në mënyrë që të sigurojmë ujë të pijes. Për shkak se kemi pasur dhe kemi deficit të madh, do të punojmë shumë natyrisht në ndërrimin e këtij gypi të azbestit prej Letnicës deri në Viti, të përfundojmë palestrën sportive që veç ka filluar. Ndërsa kemi edhe shumë punë të tjera ambientale dhe infrastrukturore. Kemi shumë punë tjera tek zona ekonomike, që veç e kemi filluar. Certifikimi i zonës ekonomike dhe fillimi i fazës së parë në magjistralen Gjilan-Ferizaj, ka qenë vërtetë suksesi historik i Vitisë dhe mund të them edhe i regjionit. Ne duhet ta popullojmë atë zonë ekonomike, ta përfundojmë dhe fazën tjetër në mënyrë që vërtet investitorët e huaj të vijnë aty, sepse kemi krijuar ambient biznesi dhe kushte për investime të jashtme e pse jo edhe të mërgatës tonë”, tha ai.

Kur jemi tek ofrimi i mundësive për biznese të reja dhe investime të huaja, Haliti thekson se Vitia lulëzimin ekonomik e ka arritur gjatë katër vjetëve të kaluara, me hapjen e 1 mijë e 127 bizneseve të reja të cilat vazhdojnë të jenë aktive.

“Në Viti, 1 mijë e 127 biznese të reja janë regjistruar për katër vite dhe asnjë nuk është shuar. Kjo ka qenë rritja jonë më e madhe. Pastaj investitorët e huaj që kanë ardhur, energjia e ripërtërishme, kanë filluar investimet në sferën e tekstilit dhe kthimi i fabrikës së tekstilit tash në pronë private nga investitorët gjermanë dhe partnerët lokal. Kemi bërë zonën ekonomike, ndërsa në anën tjetër kemi bërë zyrën për investime të parën në Kosovë. Prandaj në këtë kuptim ne do të punojmë që të krijojmë edhe qendër zejtare dhe inkubator biznesi, por edhe qendër inovative për bujqësi. Pasi që potenciali kryesor dhe aktiviteti kryesor në viti është bujqësia ne do t’i kushtojmë rëndësi të jashtëzakonshme”, tha ai për KosovaPress.

Krejt në fund, Haliti ka shfrytëzuar rastin të falënderoj qytetarët e komunës së Vitisë për besimin që i kanë dhënë me votën e tyre, duke premtuar investime edhe më të mëdha gjatë këtij mandati.