Zgjedhjet lokale

Më 19 nëntor balotazhi për kryetarë të 19 komunave të Kosovës

Në Kosovë, pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, do të votohet përsëri të dielën e 19 nëntorit në më shumë se gjysmën e komunave – në 19 nga gjithsej 38.

Sipas rezultateve të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në balotazhin për kryetarë votohet në 19 komuna, që janë gjysma: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, Kllokot, Obiliq, Kamenicë dhe Istog.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të mërkurën në mbrëmje që po më 19 nëntor të zhvillohet edhe rivotimi për kryetar në komunën e Parteshit, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar përsëritjen e votimit pas një ankese për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Ndërsa, sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, me votimet e 22 tetorit tashmë janë të zgjedhur kryetarët në 18 komuna: Deçan, Fushë-Kosovë, Leposaviç, Lipjan, Novobërdë, Pejë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Mamushë, Han të Elezit, Graçanicë, Ranillug, Mitrovicë të Veriut, Drenas dhe Junik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës shpalli mbrëmjen e së mërkurës edhe rezultatet përfundimtare të votimeve të 22 tetorit për kuvendet komunale.

Afati i ankesave filloi nga ora 12:00 e ditës së enjte, pasi deri në këtë orë u publikuan rezultatet e detajuara.