Zgjedhjet lokale

AKR-ja i bashkohet Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës

Aleanca Kosova e Re dhe Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje për garën e balotazhit të 19 nëntorit për të parin e Prishtinës.

Lajmi është konfirmuar në një konferencë për media nga kryetari i Prishtinës dhe kandidati i VV-së për një mandat të dytë Shpend Ahmeti, si dhe nga Selim Pacolli, kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës.

“Jemi këtu për të zyrtarizuar vendimin e bashkëpunimit me AKR-në edhe për një mandat. Jemi dakorduar për program të përbashkët. Zotohemi se së bashku me z. Pacollin dhe AKR-në se do të punojmë për reformimin e kryeqytetit”, ka thënë Ahmeti, raporton Koha.net.

Në anën tjetër, Pacolli ka thënë se ka qenë i hapur të “bashkëqeverisë me cilindo subjekt politik që merr në konsideratë programin tonë”.

“Programi im nuk mund të presë edhe katër vjet që të realizohet, ndaj bashkë me Shpend Ahmetin kemi bërë programin më të mirë për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Pacolli.

Ahmeti do të përballet me Arban Abrashin e LDK-së në balotazhin e 19 nëntorit. Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 22 tetor, në raundin e parë Ahmeti mori 43.32 për qind apo 37572 vota, ndërsa Abrashi 35.89 për qind apo 31126 vota. Pacolli pati 10.40 për qind apo 9022 vota.