Zgjedhjet lokale

Haziri e Kurteshi, në kërkim të një Messi për t’iu siguruar fitoren në balotazh

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi në Rubikon të KTV-së u tregua optimist karshi rezultatit i cili çoi këtë komunë në balotazh.

Ai ka thënë se qytetarët kanë votuar kundër qeverisjes së kaluar dhe kjo e bën të jetë i sigurt në fitoren e 19 nëntorit.

“Nëse e krahasojmë më rezultatin e vitit 2013, kjo i bie në futboll sikur 5 me 1 dhe 3 me 2. Një rezultat 3 me 2 është rezultat i cili shumë lehtë mund të ndryshohet”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Mirëpo, me një konstatim të tillë nuk pajtohet kundërkandidati i tij veç nëse në lojë, siç thotë Haziri, je golashënues i mirë.

“Rezultati 5 me 2 mund të jetë, por varet se ku luan Messi”, i kundërpërgjigjet Haziri, duke shtuar se është shumë i rëndësishëm golashënuesi i saktë.

Votat që grumbulloi Lutfi Haziri për të parin e Gjilanit e bëjnë atë të jetë kandidat përtej partisë që përfaqëson.

Rezultatet tregojnë se në vota ka dallim rreth 30% me ato të partisë.

Sipas tij, kjo pasqyrë është rezultat që “edhe votuesit e partive tjera më kanë votuar mua” duke e vlerësuar përgjegjësinë që ai mban si kryetar aktual.

“Kam qenë kandidat përtej LDK-së. Dallimi në votë tregon se edhe votuesit e partive tjera më kanë votuar. Nuk është vetëm mirënjohje por edhe përgjegjësi që unë e mbaj. Është rreth 30% dallim prej LDK-së”, ka thënë Haziri.

Haziri thotë se nuk ka qenë i angazhuar në punën karshi komuniteteve dhe rrjedhimisht nuk ka pritur përkrahje nga ta.

Përjashto këtu komunitetin turk, e që sipas Hazirit, ata i kanë dhënë përkrahjen nga vullneti i tyre i lirë dhe jo sepse Haziri u ka kërkuar atë apo ka punuar për votën e tyre.