Zgjedhjet lokale

PDK në Lipjan akuzon Imri Ahmetin e LDK-së se bëri fushatë me para të dyshimta

Biznesmeni lipjanas Sabit Pacolli po dyshohet dhe akuzohet nga autoritetet suedeze, se si kryetar i një shoqate të bamirësisë ka keqpërdorur mjetet e kësaj shoqate, thuhet në një komunikatë për media të Degës së PDK-së në Lipjan.

Sabit Pacolli dyshohet se paratë e keqpërdorura në Suedi i ka shpërlarë në fushatën zgjedhore, për të blerë mandatin e Imri Ahmetit në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, në komunën e Lipjanit, vazhdon komunikata.

Këtë dyshim të blerjes së votave për Imri Ahmetin nga z. Sabit Pacolli me mjetet e dyshuara të tij, e vërteton më së miri rezultati i zgjedhjeve të fundit.

Duke u bazuar në investimet kozmetike dhe jo përmbajtësore që janë realizuar nga qeverisja e Imri Ahmetit, skandalet e bëra me paranë publike gjatë mandatit të tijë qeverisës, krahasuar me diferencën e lartë të votave të tij si kandidat për kryetar komune me votat e subjektit të tij politik, fuqizojnë edhe më shumë dyshimet për blerje të votave nga Imri Ahmeti përmes financuesve të tij, siç është rasti i Sabit Pacollit.

PDK shpreh shqetësimin për këtë skandal, që ka marrë përmasa ndërkombëtare.

PDK kërkon nga Imri Ahmeti të tregojë allishverishet e tij me Sabit Pacollin.

Çfarë përfitoi Sabit Pacolli nga fitorja e tij?

Pse me paratë e keqpërdorura të shoqatës së bamirësisë financoi fushatën zgjedhore për kreun e Lipjanit?

A planifikon Imri Ahmeti ta ketë z.Pocolli pjesë të stafit të tij?

PDK ka mësuar se Sabit Pacolli mbështeti financiarisht Imri Ahmetin, pas një marrëveshje mes tyre për t’i dhënë atij disa hektarë tokë, pronë të komunës së Lipjanit.

Ndërsa me herët, Sabit Pacolli gjatë kohës kur ishte kryetar i Degës së AKR-së në Lipjan, e ka akuzuar rëndë Imri Ahmetin për keqpërdorim dhe keqmenaxhim, madje ai ishte nismëtar për prishjen e koalicionit të AKR-së me LDK-në në Lipjan.

Është absurde që pas largimit të Sabit Pacollit nga politika, ka shpërthyer me mbështetje për Imri Ahmetin, madje duke qenë një ndër përkrahësit më të mëdhenj të tij.

Kërkojmë nga Imri Ahmeti të japë sqarime për këto lidhje dhe afera me Sabit Pacollin, të cilat janë vepra penale, sepse janë në dëm të qytetarëve të Lipjanit.

PDK, dega në Lipjan, u bënë thirrje organeve të drejtësisë të nisin menjëherë hetimet për të verifikuar origjinën e parave të Sabit Pacollit, me të cilat ka realizuar investimet në Komunën e Lipjanit, si dhe abuzimet dhe aferat e Imri Ahmetit, kryetar i Komunës së Lipjanit , për dhënien e lejeve të ndërtimit në favor të Sabit Pacollit.

PDK mbetet e vendosur për të zbardhur të vërtetën dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, thuhet në komunikatën e degës së kësaj partie në Lipjan.