Zgjedhjet lokale

Ahmeti mohon të ketë marrëveshje me AKR-në, i bindur në fitore për Prishtinën

Megjithëse nuk e fitoi Prishtinën pa balotazh, është i lumtur me mbështetjen dhe votat që i mori. Thotë se nuk është Pasha i Prishtinës, por është shërbëtor i qytetarëve. Ky është kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili është i bindur që do ta udhëheq kryeqytetin e Kosovës dhe për një mandat.

Ai në një intervistë për KP ka thënë se tashmë e ka me të lehtë qeverisjen, pasi do ta ketë shumicën në kuvendin komunal dhe se nuk do të ketë më bllokada për të, ashtu siç ka pasur në katër vitet e kaluara.

“Gëzimi jonë pas zgjedhjeve të 22 tetorit, është fakti që tashmë nuk ka mundësi bllokimi sepse VV nga 10 asambleistë, tashmë i ka 18 dhe me forcat politike, me të cilat ka bashkëpunuar në të kaluarën e bëjmë shumicën në Kuvend. Dua ta them dhe një gjë, zakonisht zgjedhjet janë plebishit apo referendum për kryetarin e komunës apo qeverisjen, dhe ne së bashku me dy forcat politike që kemi qenë në qeverisje deri në zgjedhjet e 22 tetorit, i bien që tashmë i kemi fituar mbi 60 për qind të votave të Komunës së Prishtinës. Kjo është një vlerësim për punën që është bërë dhe është një shtytje për vazhdimin e reformave për qeverisjen e mëtutjeshme”, tha ai.

Ahmeti thotë se nuk është zhgënjyer që nuk arriti ta fitojë Prishtinën pa balotazh, por shton se është i lumtur me faktin që ka marrë 39 mijë vota dhe se e ka mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve.

“Ne kemi marrë maksimumin e votave që kanë me marrë ndonjëherë, më shumë se Isa Mustafa në raundin e parë të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe më shumë se vet që kam marrë në balotazh kur kemi qenë vetëm dy kandidatë, për afërisht gati 39 mijë vota, është një mbështetje e jashtëzakonshme. Çdo deklarim publik që e kam pas para zgjedhjeve. Unë kam thënë se gara do të jetë, të gjitha subjektet tjera do të mundohen me na çu në balotazh, ne do të mundohemi të maksimizojmë votën dhe të shohim se a mundemi me fitu pa balotazh, por kjo nuk ka qenë asnjëherë e lehtë dhe as punë e kryer dhe për këtë arsye unë jam goxha i lumtur, me faktin që kemi gati 39 mijë vota. Nuk ka qenë asnjëherë LDK, më me ma pak vota se në këto zgjedhje në Prishtinë, asnjëherë. Kjo është pika më e ultë e LDK-së, e po ashtu e secilit kandidat që ka pasur ndonjëherë për kryetar komune. Qytetari ka dhënë një mesazh të qartë, ne i kemi kërkuar që t’i japin krahë Prishtinës për kuvendin komunal. Qytetari na ka mbështet në atë drejtim”, tha Ahmeti.

Sipas tij, përkundër bllokadave që kanë pasur, kanë arritur t’i realizojnë projektet e mëdha. Ndërsa pohon se pasi bllokadat kanë marrë fund, shpreson dhe në përkrahjen e Qeverisë, për projekte të ndryshme për Prishtinën.

“S’ka mundësi me na blloku, që do të thotë se neve tash nëse kemi vepruar me një dorë të lidhur, si në boks me dal në ring kur e ke vetëm një dorë, tashmë i kemi të dy duart. Tashmë jemi të plotë dhe nuk ka indikacione dhe nga kjo Qeveri, që janë të interesuar që të hyjnë në një garë politike me komunën e Prishtinës”, tha ai.

Ahmeti po ashtu fton Qeverinë që t’i ndihmojë në projektet, për mandatin e ardhshëm, pasi që siç thotë ai, ky nuk është qytet i një subjekti politik por i gjithë qytetarëve.

Ndërsa mohon që të kenë arritur marrëveshje me AKR-në, siç u pohua në media ditë më parë, por thekson se është me rëndësi që ta vazhdojnë bashkëpunimin pas 19 nëntorit, me partitë me të cilat kanë bashkë qeverisur deri tani.

“Nuk kemi diskutuar për marrëveshje politike në mes të AKR-së dhe lëvizjes sepse ato janë forumet tona të cilat vendosin. Ajo çka ndodh dhe çka pres të ndodh, posaçërisht pas 19 nëntorit, sepse atje është me rëndësi që të vazhdojmë bashkëpunimin me këto dy subjekte politike. Bile ne jemi të interesuar dhe kemi synim që në këtë marrëveshje ta kemi dhe Lëvizjen për Bashkim, me dy asambleistë dhe Nismën që më duket e kanë një asambleistë”, tha ai.

I pyetur se a do të zhgënjehet në rast se nuk do të mund ta qeverisë Prishtinën dhe për katër vitet e ardhshme, ai thotë se nuk e ka hallin tek vetja, por tek Prishtina, e cila nuk duhet të kthehet në duart e atyre që e shkatërruan.

“E kemi prish diku balancën, i kemi largu dhe ua kemi prish strofullin kriminelëve dhe mafias së ndërtimit dhe tash gjithë ato interesa janë duke luftuar që neve me na pamundësu. Kjo është shumë e vogël, karshi fuqisë së qytetarëve. Për mua mos mbani gajle, për mua në asnjë mënyrë sepse unë jam i parëndësishëm në aspektin e asaj se çka mund t’i ndodh Prishtinës”, tha ai.

Ahmeti ka folur dhe për stadiumin për të cilin së fundi u bë zhurmë e madhe, sa i përket vendit ku do të ndërtohet. Ai thotë se do të luftojë me gjithë forcat e tij që stadiumi të ndërtohet në kryeqytet.

Ahmeti thotë se do të vazhdojë reformën e transportit publik, e deri tek spitali i qytetit. Pesë shkolla të reja. Planifikimi ndryshe, trajtim ndryshe i pronave dhe Prishtina pas katër viteve, do të jetë një qytet dhe më shumë i normalizuar.