Zgjedhjet lokale

LDK-ja në Shtime sqaron se nuk ka koalicion me kandidatin e pavarur

Zyra për informim e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Shtimes, Fatmir Rashiti, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se tashmë kanë arritur një marrëveshje me subjektin politik LDK për, siç thuhet në komunikatë, “të fituar bindshëm zgjedhjet e balotazhit më 19 nëntor”.

Mirëpo, në anën tjetër, zyrtarët nga LDK-ja kanë deklaruar se ende nuk është arritur asnjë koalicion zyrtar me kandidatin e pavarur dhe se, sipas këtij subjekti politik, shumica e elektoratit të LDK-së pas humbjes në zgjedhjet e 22 tetorit do ta përkrahin kandidatin e PDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, njofton gazetari i “Kohës Ditore” nga regjioni i Ferizajt.

Kadri Emini, anëtar i kryesisë së LDK-së, Dega në Shtime, ka thënë se ende nuk kanë arritur asnjë koalicion zyrtar me askënd, megjithëse grupi punues i këtij subjekti ka mbajtur disa takime me PDK-në dhe me kandidatin e pavarur.

“Deri tashti koalicion zyrtar nuk kemi bërë ende me askënd sepse ne e kemi një grup negociator për subjekte politike në kuadër të kryesisë e, ata kanë zhvilluar takime politike me PDK-në dhe me kandidatin e pavarur. Ndërkohë pas dy ditësh do ta mbajmë një mbledhje të kryesisë dhe ky grup punues do na njoftoj për gjithçka dhe besoj se do të dalim zyrtarisht për ndonjë koalicion zyrtar. Ne e dimë se ka mjaftë shumë elektorat të LDK-së të cilët pas humbjes sonë do ta përkrahin PDK-në dhe kandidatin e saj Naim Ismajlin në balotazhin për zgjedhjet e 19 nëntorit”, ka thënë Emini.

Ai sqaron se në momentin që bëhet ndonjë koalicion me ndonjë subjekt politik, atëherë do të ndahen edhe postet politike për ta qeverisur komunën, ndërsa thekson se deri tani nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim.

Ndërkohë zyra për informim e kandidatit të pavarur, në komunikatën e publikuar, kanë thënë se është arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje për ta mbështetur kandidatin e pavarur për kryetar të Shtimes në zgjedhjet e balotazhit më 19 nëntor.

“Këto marrëveshje janë bazuar në vullnetin demokratik të qytetarëve të Shtimes, të shprehur në zgjedhjet lokale të 22 tetorit dhe obligimin e ndërtimit të një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse”, thuhet midis të tjerash në komunikatën e kandidatit të pavarur.