Zgjedhjet lokale

Dy kandidatët për kryetar të Malishevës të bindur në fitore të thellë

Descriptive Text

Ragip Begaj i Nismës dhe Mursel Gashi i PDK-së janë shprehur të bindur për fitore në balotazhin e 19 nëntorit në garën për të parin e Malishevës.

Begaj, që është duke kërkuar mandatin e dytë, doli i pari në zgjedhjet e 22 tetorit me 41.03 për qind, ndërsa në balotazh do të përballet me Gashin që pati 27,56% në raundin e parë.

“E dimë se jemi në garë nga fillimi në balotazh, por ne e konsiderojmë veten fitues. Njerëzit kanë dëshmuar se e duan qeverisjen e Nismës në Malishevë. Ata e përjashtuan PDK-në katër vjet më parë për shkak të keqqeverisjes dhe nuk duan t’i kthejnë më”, ka thënë Begaj në Interaktiv të KTV-së.

Në anën tjetër Gashi ka thënë se do të fitojë thellë dhe se qytetarët dëshirojnë kthimin e PDK-së në qeverisje të Malishevës.

“PDK nuk ka qeverisur keq në mandatet e shkuara në Malishevë. Qytetarët janë zhgënjyer dhe janë vetëdijesuar për mospunën në arsim, shëndetësi e administratë. Ata do ta largojnë këtë qeverisje që ka bërë investime në baza partiake”, ka deklaruar Gashi.

Të gjitha këto deklarata janë mohuar nga Begaj.