Zgjedhjet lokale

Kusari-Lila thotë se s’ka bërë ndarje qytet e fshat në Gjakovë

Kryetarja në detyrë e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila thotë se ajo nuk po bën ndarje mes zonës rurale dhe urbane të kësaj komune, por kjo, sipas saj, po bëhet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Rubikon të KTV-së, Kusar-Lila ka thënë se AAK dhe kandidati i saj për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, me të cilin do të përballet në balotazh, kanë manipuluar me qytetarët.

“Është skandaloze të mendojmë kur për katër vite qeverisje investimet më të mëdha janë bërë në zonat rurale, pse ka pas nevojë dhe ka nevojë ende. Mbi 54% të buxhetit të infrastrukturës, pa investimet që janë marrë nga niveli qeverisjes ose nga donatorët... është vjedhja e votave mu në zonat rurale, gjegjësisht fryrja e numrave, në fakt deri sa ne u hutuam duke festuar”, ka thënë ajo.

Përballë saj, Gjini ka thënë se asnjëherë nuk ka bërë thirrje për ndarje dhe në gjuhën e tij, nuk ka pasur element hipokrizie.

“Kemi thirrur për bashkim dhe asnjëherë për ndarje. Fjalët e mija kanë qenë të njëjta pa asnjë element të hipokrizisë”, ka thënë ai.

Gjini ka thënë se ka filluar një dozë e ksenofobisë të shfaqet dhe shpjegon se si këtë e përcjellë edhe kundërkandidatja e tij.

“Ka vazhduar në formën e paraqitjeve të dyfishta, ndryshe në televizion, ndryshe ne ndeja me njerëz, ndryshe në tubime të vogla ku nuk ka kamera, duke ju thënë njerëzve që duhet m’i largu këta, këta e ka bërë, këta janë të këqij , këta janë demonët edhe njerëzit fillojnë ta ndërtojnë atë imazh të demonëve”, ka thënë ai.

Gjini vlerëson se nuk ka pasur vjedhje të votave.