Zgjedhjet lokale

Porosia e Lladrovcit pas fitores pa balotazh

Descriptive Text

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka fituar sot zgjedhjet lokale, në mesazhin e tij të fitores, ka falënderuar të gjithë ata që ia besuan për të udhëhequr Drenasin edhe për një mandat, ndërsa falënderim të veçantë ka pasur për tre votuesit që janë mbi moshën 90 vjeçare.

Postimi i Lladrovcit në Facebook:

Sot ishte ditë e madhe për mua, për Familjen time dhe për të gjithë qytetarët që i besuan Forcës së Ndryshimit.

Faleminderit qytetarëve të Drenasit, aktivistëve dhe simpatizantëve të PDK-së, strukturat organizative, seksioneve, nëndegëve të PDK-së, Rinisë dhe Gruas Demokratike për angazhimin e pakursyer gjatë gjithë fushatës.

Një falënderim të veçantë shpreh për bartësin e Listës së PDK-së, Labinot Halilajt, i cili me durim përballoi sfidën e garës, si dhe dy nënkryetarët e Shtabit, Milaim Hajdarin dhe Arsim Haxhiun. Po ashtu, respekt për të gjithë kandidatët për Asamble që me përkushtim u përpoqën për çdo votë.

Kjo ditë feste për neve, në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, nuk ishte e lehtë sepse me neve nuk ishte as Baba Tush.

Përpara nesh është një mandat i sprovës dhe dëshmisë, sepse, ne e mbajmë fjalën. Ne jemi Forca e Ndryshimit në Drenas!

Sinqerisht falënderoj Kryetarin Veseli dhe të gjithë bartësit e përgjegjësive shtetërore në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri, për urimet e sotme.

Falënderoj po ashtu, Nënën Zizë, e cila me 98 vitet e saja, jo vetëm që doli të votonte, por edhe më dhuroi një palë çorapë leshi që vet i kishte thurë. Këtu falënderoj edhe Bacën Ymer, 93 vjeçar dhe Nënën Adile, 90 vjeçare nga Fushtica e poshtme që më nderuan me besimin e tyre për mandatin e ardhshëm.