Zgjedhjet lokale

DnV: Procesi i votimit po rrjedh normalisht, bie numri i parregullsive krahasuar me zgjedhjet parlamentare

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, po vazhdon të vëzhgojë procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale që po zhvillohet sot në tërë territorin e vendit.

Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 276, 342 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 14.61% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.

Komunat me daljen më të madhe të votuesve në zgjedhje janë: Kllokoti (32.10%), Mamusha (24.93%) dhe Leposaviqi (23.38%).

Komunat me daljen më të vogël janë: Skenderaj (9.36%), Dragash (10.85%) dhe Rahovec (11.20%).

Madhësia e trupit elektoral në zgjedhjet lokale sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së është 1,890,952 votues, rreth 18,011 votues më shumë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017.

Parregullsitë më evidente

Në përgjithësi, ka një rënie të rasteve që lidhen me votimin familjar në raport me zgjedhjet parlamentare në të njëjtën orë të raportimit dhe vështirësive për të gjetur emrin në Listën e votuesve.

Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)

Gjithsej 26 raste, në 9 vendvotime.

Prijnë komunat: Ferizaj (13 raste), Mitrovica (8 raste), Prizreni (2 raste).

Votimi familjar

Gjithsej 1967 raste, në 338 vendvotime, ose në përqindje 13.5 % të të gjitha vendvotimeve.

Prijnë komunat: Gjakova (330 raste); Ferizaj (208), Lipjan (138).

Fotografimi i votës

Është evidentuar në 138 raste ose në 80 vendvotime në nivel vendi, shprehur në përqindje, në 3.2% të të gjitha vendvotimeve.

Deçani prin me 25 raste, pasuar nga Peja 22 dhe Prishtina me 19 raste.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit (ose publikimit të votës)

Gjithsej 41 raste, në 24 vendvotime (ose në përqindje 0.95% të0 vendvotimeve).

Prijnë komunat: Skenderaj (10 raste) , Ferizaj (9 raste) dhe Prishtina (4 raste).

Asistimi i votuesve më shumë se një herë

Gjithsej 193 raste, në 65 vendvotime (ose në përqindje 2.6 % të vendvotimeve).

Prijnë komunat: Peja (40 raste), Suhareka (31) dhe Prizreni (28).

Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve

Këto vështirësi po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 401 raste në 113 vendvotime, ose 4.5% të vendvotimeve. Komunat ku është hasur ky problem janë Prizreni me 88 raste, Prishtina me 77 raste dhe Mitrovica me 38 raste.

Prania e personave të paautorizuar në vendvotime dhe qendra të votimit

Është evidentuar në 11 vendvotime (ose në përqindje 0.44 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Prishtina dhe Gjilani me nga dy vendvotime.

Incidentet dhe parregullsitë e raportuara nga terreni:

Në qendrën e votimit 0311E në vendvotimin 02R në shkollën “Luigj Gurakuqi”, në komunën e Drenasit, në këtë vendvotim është vërejtur që se disa fletëvotime kanë qenë të shtypura me një vizë tek subjekti Nisma. Rrjedhimisht komisionerët kanë hequr komplet dengun prej 50 votash nga përdorimi.

Në qendrën e votimit 1121B në vendvotimin 02D në shkollën “Mehë Uka” në komunën e Mitrovicës një person është lejuar që të votoj me ID të fotokopjuar.

Në qendrën e votimit 1921E në vendvotimin 01R, në shkollën “Asim Vokshi”në Prishtinë, një votues raporton se emri i tij ka qenë paraprakisht i nënshkruar në Listën e Votuesve.

Në qendrën e votimit 0616C në vendvotimin 01D në shkollën “Ndre Mjeda” në komunën e Istogut, një komisioner i Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë identitetin e rremë dhe si pasojë është larguar nga vendvotimi.

Në qendrën e votimit 5201A në vendvotimin 02R në shkollën “Anadollu” në Komunën e Mamushës një person në orën 11:30 ka votuar me dokument identifikimi të gruas së tij .

Në qendrën e votimit 2419A në vendvotimin 02D në shkollën “28 Nëntori” në komunën e Suharekës, kryesuesi i vendvotimit ka votuar me kusht por gjatë votimit e ka fotografuar fletëvotimin e tij.

Në qendrën e votimit 0438 D në vendvotimin 01D në shkollën “Bajram Curri”në Gjilan një person vazhdimisht është duke sjellë njerëz dhe duke u paraqitur herë si komisioner e herë si vëzhgues.

Në qendrën e votimit 1808 E në vendvotimin 01R në shkollën “Emin Duraku” në Podujevë prapa kabinës së votimit të këtij vendvotimi është gjetur një broshurë me emra të kandidatëve të LDK-së.

Në qendrën e votimit 3401E në vendvotimin 09D në shkollën Krajl Milutin në komunën e Graçanicës një person në ora 9:30 ka tentuar të fotografojë fletëvotimin, është ndaluar dhe është nxjerrë jashtë nga policia.

Në qendrën e votimit 3805B në vendvotimin 11R në shkollën “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut në orën 11 një grua ka shikuar komplet librin e nënshkrimeve me pretendimin se po e shikon se kush ka votuar dhe më pas ka thënë se edhe ajo donë të votojë.

Në qendrën e votimit 2110B në vendvotimin 02D në shkollën “Skënder Skënderi” në komunën e Skenderajt vazhdimisht ka tentime që më shumë se dy persona të qëndrojnë mbrapa kabinës. Por asnjëherë nuk janë lejuar.