Zgjedhjet lokale

DnV-ja nxjerr bilancin e fushatës të dominuar nga burrat

Demokracia në Veprim (DnV) përmes 61 vëzhguesve afatgjatë, në tridhjetë ditët e fushatës për zgjedhjet lokale, ka përcjellë 1,369 aktivitete të subjekteve politike të certifikuara, ka zhvilluar intervista me kandidatët që janë në garë zgjedhore për të diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, si dhe ka monitoruar mbledhjet KKZ-ve dhe KQZ-së.

“Në bazë të monitorimeve tona, vlerësojmë se fushata zgjedhore ka qenë e qetë, e zhvilluar në një ambient konkurrues. Kandidatët për kryetar të komunave dhe për kuvendet komunale kanë shpalosur lirshëm opsionet dhe programet e tyre politike, ku pjesëmarrja e qytetarëve dhe e mediave ka qenë e sigurt dhe e papenguar. Janë shënuar një numër i vogël i incidenteve të cilat kanë qenë raste të izoluara dhe nuk kanë dëmtuar fushatën zgjedhore”, thuhet në njoftimin e DnV-së, transmeton Koha.net.

Pjesëmarrja e qytetarëve në tubime

Subjektet politike në përgjithësi kanë zhvilluar tubime zgjedhore deri në 100 pjesëmarrës, respektivisht 52% e takimeve të tyre, pastaj takime me grupe të interesit, takime me qytetar derë me derë. Ndërsa në javën e fundit të fushatës është vënë re një intensifikim i takimeve me qytetarët dhe veçanërisht i tubimeve zgjedhore të përmasa më të mëdha deri në 1,000 pjesëmarrës.

Përdorimi i resurseve publike

Edhe gjatë kësaj fushatë zgjedhore është shënuar përdorimi i resurseve publike në 82 raste, ku është vënë re përdorim i automjeteve zyrtare, pjesëmarrje e shërbyesve civile dhe personave zyrtar në fushatë.

Gjuha e urrejtjes

Subjektet politike kanë qenë më të përmbajtura në përdorimin e gjuhës së urrejtjes, nga të gjitha aktivitetet e monitoruara nga DnV, në 22 raste është shënuar përdorim i gjuhës së urrejtës.

Përfshirja e fëmijëve në fushatë

Fushata zgjedhore është shënuar me pjesëmarrjen e fëmijëve, përkatësisht në 30% të aktiviteteve të monitoruara të fushatës zgjedhore apo 3,994 fëmijë pjesëmarrës në fushatë.

Qasja e personave me aftësi të kufizuara

Ofrimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuara ka qenë një tjetër problematikë që ka shënuar fushatën zgjedhore të partive politike. Është vënë re që në pjesë të madhe të këtyre aktiviteteve nuk u është ofruar qasja personave me aftësi të kufizuara, përkatësisht qasje nuk është ofruar në 29% të aktiviteteve. Pjesëmarrje e personave me aftësi të kufizuara ka qenë në 151 aktivitete të subjekteve politike.

Pjesëmarrja e grave

Numri i grave të nominuara si kandidate për komuna është vetëm 8 nga 204 kandidatë të cilët po kandidojnë për kryetar në rang vendi.

Pjesëmarrja e grave ka vazhduar në nivele të ulëta gjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Në të gjitha aktivitetet e monitoruara nga DnV pjesëmarrja e grave ka qenë në mesataren 10%. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së grave si folëse ka qenë 21%. Përkatësisht kanë folur 3691 burra dhe vetëm 974 gra.

Prania e mediave

Mediat kanë qenë të pranishme në 51% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi dhe kanë raportuar lirshëm.

Ofrimi i sigurisë

Në shumicën e rasteve të monitoruara Polica e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore. Për 30 ditë të fushatës shihet që gjysma e aktiviteteve që mbahen nga subjektet politike nuk kanë fare sigurim.

Vëzhgimi i zgjedhjeve dhe përgatitjet nga DnV

Demokracia në Veprim është e gatshme për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Ne kemi rekrutuar rreth 3 mijë vëzhgues të cilët i janë nënshtruar trajnimeve dhe janë të gatshëm për të mbuluar të gjitha 2,505 vendvotime sa janë paraparë të hapën në ditën e zgjedhjeve.

Qendrën Koordinuese do ta kemi të vendosur në Prishtinë (Hotel Sirius) nga ku përmes 150 vullnetarëve do të mbledhim të gjitha të dhënat nga terreni të cilat do të analizohen dhe bëhen të ditura për publikun. Kujtojmë që gjatë periudhës së fushatës, përveç monitorimit të aktiviteteve të subjekteve politike, DnV ka qenë aktivisht e përfshirë në informimin dhe edukimin e votuesve për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje si dhe për mënyrën e votimit.

Tradita e mirë e ndërtuar në organizimin e zgjedhjeve, sidomos nga zgjedhjet e viti 2013 dhe këndej, urojmë të ruhet edhe në këto zgjedhje. Subjektet politike dhe institucionet tjera të përfshira në menaxhimin e zgjedhjeve kanë treguar maturi dhe nivel të lartë të përgjegjësisë. Çdo rezultat i zgjedhjeve i cili është i kontestuar nuk garanton qeverisje të mirë në atë komunë, dhe njëkohësisht dëmton rëndë reputacionin e subjektit politik dhe zhvillimin e demokracisë së atij vendi.

Andaj iu bëjmë thirrje të gjitha 91 subjekteve politike të përfshira në garë, të përmbahen nga çfarëdo forme e presionit mbi votuesit apo tentimit për të manipuluar me vullnetin e qytetarëve.

Institucioneve të sigurisë u bëjmë thirrje të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë zgjedhore. Vëmendje më të shtuar duhet treguar në komunat me shumicë serbe. Në zgjedhjet e kaluara është raportuar për presion mbi votuesit në këto zona, prandaj institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë të gatshme që të parandalojnë përsëritjen e skenarëve të tillë.

Të gjithë qytetarët me të drejtë vote duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe me votën e tyre të vendosin për shërbime më të mira të administratës, për infrastrukturë më cilësore e për përkujdesje më të mirë shëndetësore.

Votuesit të cilët marrin pjesë për herë të parë në zgjedhje, duhet të bëjnë kujdes që fletëvotimi i tyre të mos shpallet i pavlefshëm. Në ditën e zgjedhjeve do të marrin dy fletëvotime. Në fletëvotimin për kryetar të komunës duhet të votojnë vetëm për një kandidat. Ndërsa në fletëvotimin e dytë, së pari duhet të shënjojnë vetëm një subjekt politik, pastaj në anën e djathtë të po atij fletëvotimit duhet të shënjojnë vetëm një kandidat për Kuvendin Komunal.