Zgjedhjet lokale

Pacolli përmbyll fushatën duke iu bashkuar festës së plisave

Në 30 vjetorin e tifozëve të Plisave, kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli i bashkohet kësaj feste ku njëkohësisht përmbyllë edhe fushatën zgjedhore, njofton kumtesa na kjo parti.

Në këtë tubim Pacolli tha se është nderë dhe krenari të jetë në mesin e tifozëve të Plisave, të cilët sipas tij janë ata që e gjallërojnë sportin e Kosovës.

“Të jem bashkë me ju në fushatën zgjedhore është krenari. Ju jeni simboli i rezistencës mbarë shqiptare. Ju jeni ata që na jepni krenari kudo që prezantohet kombëtarja e Kosovës. Ju jeni ata që e ngjallni kudo shpirtin e shqiptarëve dhe të Prishtinës. Plisat të bëjnë të besosh në të ardhmen dhe ëndrrën ta bësh realitet” tha Pacolli.

Gjithashtu para tyre ai u shpreh se Plisat janë ata të cilët i bashkuan të gjitha trojet etnike dhe janë ata të cilët më shumë se çdokush e duan dhe e respektojnë Prishtinën.

Në përkrahje ndaj tifozëve Pacolli tha se kudo që ai do të gjendet nesër, do të jetë pjesë e këtyre Plisave dhe bashkërisht do të rrugëtojnë edhe 3000 vjet drejt fitoreve.