Zgjedhjet lokale

Pacolli zotohet për zbatim të premtimeve

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli të premten ka shpalosur planin e tij qeverisës për kryeqytetin, përderisa premtoi se projektet më të mëdha, nëse zgjidhet kryetar do të implimentohen gjatë mandatit të parë qeverisës, kurse shtoi se do të dorëzojë çelësat e një Prishtine të zhvilluar pas katër vitesh qeverisje.

Ai këtë zotim e bëri para biznesmenëve, të cilët i ftoi që të vlerësojnë këtë plan dhe pastaj t’iu tregojnë qytetarëve se një zhvillim i tillë është i mundshëm, përderisa theksoi se nëse ka mbështetjen e tyre, implementimi i tij është i sigurt.

Ai premtoi ndërtimin e një qendre kulturore "pa mure", ndërtimin e stadiumit të Prishtinës, parking nëntokësor për 6 mijë makina që paraqet zgjidhje fundamentale për mbingarkesën në kryeqytet, si dhe ndërtimin e një xhamie në qendër të qytetit.

Ndërtimi i kampusit universitar, sipas Pacollit, është një nga projektet e tij të mëdha e që do të implimentohet nga të hyrat e parkingut nëntokësor, ku në kuadër të kushteve dhe hapësirave moderne që do të ofrojë për të studentët, do të përfshihet edhe akomodimi i 100 mijë studentëve në konvikte.

Për të gjitha këto premtime, Pacolli tha se janë vizion i atyre që e duan dhe besojnë në një të ardhme të ndritur për Prishtinën, ndërsa tha se nëse zgjidhet kryetar, në përfundim të mandatit të tij 4 vjeçar do të dorëzojë çelësat e një Prishtine moderne.

Sipas tij, hallet e qytetarëve nuk zgjidhen pa implementimin e projekteve të mëdha. E për këtë ai tha se me kryerjen e projektit ideor, inxhinieringut financiar, nevojitet vetëm vullneti i qytetarëve që me votën e tyre të përcaktojnë të ardhmen e tyre më të mirë, duke votuar për të si kryetar të Komunës së Prishtinës.