Zgjedhjet lokale

Abrashi: Jam befasuar për të keq me udhëheqjen në Prishtinë – premtoj 30 mijë vende pune

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se gjatë fushatës ka mësuar shumë gjëra të reja për udhëheqjen në katër vjetët e fundit në kryeqytet të cilat e kanë befasuar për të keq.

Ai ka thënë se udhëheqja aktuale e kryeqytetit “në katër vjet ka humbur më shumë se 70 milionë euro, të cilat ka mundur t’i investojë në sektorë të ndryshëm”.

Sipas Abrashit, në Prishtinë s’ka pasur investime në sport dhe kulturë. Ai ka thënë se edhe ndërtimtarët kanë ikur nga Prishtina, pasi “kryetari aktual nuk është marrë me problemet e qytetit”.

Abrashi ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë nëse ai fiton zgjedhjet e 22 tetorit. Ai ka premtuar zhvillim ekonomik dhe 30 mijë vende të reja pune për prishtinasit.

“Është sfiduese të them cila pikë është kryesore. Secili sektor ka pikë të rëndësishme. Kemi bë programe për lagje. Kam prezantuar secilin premtim të caktuar për lagje të caktuara. Karakteri zhvillimor i Prishtinës është pika kyçe me të cilën kam nis secilin prezantim. Prishtina duhet të reflektojë zhvillim ekonomik dhe të ketë punësim. Synojmë të punësojmë rreth 30 mijë qytetarë. Duhet të bëjmë organizim më të mirë ekonomik. Të krijojmë zona të reja ekonomike. E dyta, në bujqësi do të investojmë shumë më shumë, posaçërisht te zona e Gollakut. E shohim potencial të madh edhe turizmin. Maksimizimi i potencialit duke nisur nga Gërmia dhe Gollaku”, ka thënë ai.

Sa i përket arsimit, Abrashi ka premtuar mësim tërëditor me kuzhina në secilën shkollë.