Zgjedhjet lokale

VV në Bregun e Diellit: Numri 10 është numri i zhvillimit të Prishtinës

Sonte Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim në lagjen Bregu i Diellit. Përveç kandidatëve për Kuvend Komunal, para të pranishmëve folën Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, dhe deputeti Albin Kurti. Në këtë tubim arritën edhe çiklistët që e vizituan secilën komunë në këtë fushatë, deputetët Fitore Pacolli dhe Fisnik Ismajli.

Ahmeti falënderoi banorët e Bregut të Diellit për përkrahjen e madhe që po i japin Vetëvendosjes, duke iu bërë thirrje që të dalin sa më masovisht në zgjedhje dhe të votojnë Lëvizjen.

“Mbështetja e madhe që po na jepni e garanton fitoren e Vetëvendosjes në Prishtinë. Ne do të vazhdojmë qeverisjen e mirë të Komunës, bashkë me juve, përkrah jush. Mandati jonë i radhës do të jetë mandat i plotë, me shumicë të asamblistëve të Lëvizjes në Kuvend Komunal. Numri 10 është numri i fitores. Numri 10 është numri i Vetëvendosjes, i zhvillimit të mëtutjeshëm të Prishtinës”, theksoi Ahmeti.

Visar Ymeri, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha para të pranishmëve tha se Komuna e Prishtinës është shembull i qeverisjes për komunat tjera në Kosovë dhe jo vetëm.

“T’i japim krahë Prishtinës. I duhet krahu Prishtinës. I duhet Kuvendi Komunal Prishtinës. Krahët Shpendit, Prishtinës, ia japim ne, qytetarët e këtij vendi, përmes votës më 22 tetor. Prishtina duhet ta kryejë punën të dielën, pa balotazh, ashtu që në balotazh të angazhohemi të gjithë ne nëpër komunat e tjera”, tha ndër të tjera Ymeri.

Deputeti Albin Kurti tha se kanë mbetur dhe pak ditë para fitores dhe festës së Lëvizjes sonë. Ai foli për qeverisjen katërvjeçare të Vetëvendosjes në Prishtinë, qeverisje kjo që shumë shpejt do të shtrihet edhe në komunat tjera. “

Po flasim gjithandej për konceptin, programin e zotimet. Qeverisja e Vetëvendosjes në Prishtinë është shndërruar në argumentimin tonë kryesor se pse duhet të qeverisim edhe gjetiu, pse duhet të qeverisim edhe në nivelin qendror”, tha Kurti, duke iu bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë listën tonë, posaçërisht gratë.