Zgjedhjet lokale

Haziri në Malësinë e Kishnapoles: Fermerët do të mbështeten me 1200 euro për hektar

Lutfi Haziri nga LDK, sot ka vizituar fshatrat Kishnapole, Sllakovc i Epërm, Sllakovc i poshtëm dhe Gadish, njofton kumtesa e LDK-së.

Ai tha se në katër vitet e qeverisjes së ardhshme në Gjilan, do të ketë subvencione të mëdha në këtë pjesë, duke ndikuar kështu direkt në forcimin e familjes bujqësore.

“Kjo zonë është turistike. Na duhet edhe pak punë në infrastrukturë dhe kjo zonë do të zhvillohet jashtëzakonisht shumë. Por, është shumë i rëndësishëm fakti se në vitin e ardhshëm Malësia e Kishnapoles do të bëhet jeshile nga mbjelljen e duhanit dhe fermerët do të mbështeten me 1200 euro për hektar”, tha Haziri.

Haziri ka kërkuar nga banorët e asaj ane që përpos mbështetjes për të, votat të shkojnë njësoj edhe për kandidatët për asamble komunale, për të cilët tha se janë njerëz të pastër si loti dhe profesionistë të vërtetë të lëmive të tyre.

Në këtë tubim ka folur para të pranishmëve edhe kandidatja për asamble komunale, Shpresa Kurteshi Emini.