Zgjedhjet lokale

Nisma: Zafir Berisha pritet masovikisht në lagjen Tabakhane

Tubimi i radhës në vazhdën elektorale të ekipit të Nismës për Kosovën në Prizren dhe kandidatit për kryetar Zafir Berisha, ishte në lagjen Tabakhane, me ç’rast, siç thotë Nisma, u priten masovikisht nga qytetarët, “që tashmë e kanë kuptuar se shpëtimi për Prizrenin do të vije vetëm me Zafir Berishen”.

Edhe pse në një ambient të errët për shkak të, siç thotë kjo parti, “ndërprerjes së qëllimshme të energjisë elektrike, megjithatë Nisma tashmë shihet si drita e vetme në fund të tunelit dhe shpresa e vetme që qytetarin ta nxjerrë nga errësira”.

“Mbështetja juaj konfirmon se padyshim Nisma do të qeverisë me Prizrenin dhe në këto lagje të qendrës së qytetit do të dalim fuqishëm falë mbështetjes tuaj”, tha mes tjerash Zafir Berisha.

“Ne, si nëpër çdo cep të Prizrenit dhe rrethinë, e kemi të hartuar planin tonë të punës gjatë qeverisjes sonë edhe për lagjen tuaj, sepse kaherë i kemi identifikuar nevojat me të cilat ballafaqohen banorët e këtyre lagjeve të qytetit, e siç janë kryesisht sigurimi i qarkullimit të lirë për këmbësorët, ngase këto lagje janë të mbipopulluara, për shkak të dy shkollave që janë këtu. Kjo do të nënkuptonte rregullimin e trotuareve për qytetarë, pastaj sigurimin parkingjeve, lirimin e disa rrugëve të uzurpuara nga njerëz të papërgjegjshëm, krijimin e hapësirave gjelbëruese, etj. Tashmë përveç luftës kundër papunësisë që kemi shpallur, e që do ta luftojmë pa kompromis, ne me këmbëngulje do rrisim nivelin e përgjegjësisë në administratë, do ta depolitizojmë arsimin në Prizren”, përfundoi fjalën e tij Zafir Berisha para qytetarëve të lagjes Tabakhane, duke kërkuar që “të bëhen pjesë e fitores së madhe, e kjo bëhet duke adresuar votën në numrin 31 Nisma për Kosovën, Zafir Berishën për kryetar dhe kandidatët që vijnë nga kjo lagje”.

Kandidatja për kuvend nga kjo lagje, Dardane Nushi-Çupi, tha se “me besimin tuaj jam e gatshme të përfaqësoj lagjen Tabakhane në mënyrën më të mirë të mundshme, ngase për fat të keq që nga pas lufta kjo lagje nuk ka patur përfaqësues e tyre”.

Edhe kandidatët tjerë për kuvend komunal nga kjo lagje, Gzim Hasi dhe Arbert Oreshka, përshëndetën të pranishmit, duke kërkuar mbështetjen për ta.