Zgjedhjet lokale

VV: Me Faton Topallin, Ferizaj zëvendëson privatizimin e korruptuar

Vetëvendosje mbajti sot tubim zgjedhor në Ferizaj.

Qytetarët e Ferizajit u ftuan të mbështesin ndryshimin sikurse me 11 qershor, duke votuar për kryetar komune Faton Topallin dhe kandidatët për Kuvendin Komunal të kësaj komune, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Hapjen e tubimit e bëri deputetja Albulena Haxhiu, e cila tha se ndryshimin në Ferizaj e garanton vetëm qeverisja e Faton Topallit. Ajo rikujtoi se nga zgjedhjet e fundit nacionale, vota për VETËVENDOSJE!-n u dyfishua, duke e nxjerrë atë si forcën e parë politike në vend.

“Sikur Prishtina me Shpendin po ashtu edhe Ferizaji me Fatonin do të jetë model i qeverisjes. Do të jetë Komunë në shërbim të fëmijëve, të moshuarve, të rinjve e të rejave, grave e burrave. Do të jetë Komunë ku do të luftohet korrupsioni i gjetur e ku do të qeveriset pa korrupsion”, u zotua Haxhiu.

Kryetari Visar Ymeri tha se në Ferizaj përkrahja për Vetëvendosje është rritur në vazhdimësi, kurse qytetarët e kësaj komune i quajti njerëz bujarë që nuk përulen kurrë para padrejtësisë, që e duan barazinë e dinjitetin. E po ashtu potencoi se kësaj komune i duhet kryetar si Faton Topalli, e assesi ndonjë si Agim Aliu e Muharrem Sfarqa.

Deputeti tjetër Albin Kurti, tha se Ferizaji i ka dhënë shumë edhe ekonomisë, edhe kulturës, në luftë e në paqe. Por, ai tha se pas luftës Ferizaji u diskriminua dhe u bë vend i privatizimit të korruptuar.

“Vetëvendosje do ta sjellë drejtësinë në institucione, prodhimin në ekonomi, dhe socialen në politikat e komunës nesër e të shtetit pasnesër. Prandaj VETËVENDOSJE! është ajo që mund të fitojë, duhet të fitojë dhe do të fitojë”, tha Kurti.

Në fjalën përmbyllëse, kandidati për kryetar, Faton Topalli, tha se gjatë tërë këtyre ditëve dhe javëve bashkë me aktivistët janë takuar me mjekë, inxhinierë, pensionistë, zjarrfikës, qytetarë me nevoja të veçanta, profesorë, ekspertë të ujit, ndërtimtarë, bankierë, ekonomistë, kontabilistë, veteranë të luftës, familje të dëshmorëve, punëtorë krahu, taksistë, arkeolog, gjeologë, edukatore, arkitektë, motra medicinale, psikologë, bujq, pemëtarë, zejtarë, tregtarë, biznesmenë e prodhues vendorë. Ai tha se tek ta ka vërejtur një të përbashkët, e që është zotimi për ndryshimin e madh me 22 tetor.