Zgjedhjet lokale

Xhemajlaj: Nekovci, Komorani dhe tërë Drenasi po e kërkojnë ndryshimin

Descriptive Text

Nisma për Kosovë sonte ka mbajtur tubim zgjedhor me simpatizantët e saj në fshatin Nekovc të Drenasit, ku u premtua zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe përkrahje për rininë e kësaj komune.

Kandidati i Nismës për Kosovë për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj tha se programi i Nismës është i përshtatshëm për kushtet dhe nevojat e Drenasit, i cili është përgatitur nga njerëz profesionist, të cilët janë bashkuar me Nismën, jo për interesa personale, por për ta zhvilluar Drenasin.

“Kemi pritur që 17 vite, kemi pritur që vendi jonë, me resurset natyrore me rininë që e ka, do ta ketë një perspektivë më të madhe. Pritjet tona nuk ka rezultuar suksesshme, për shkak se njerëzit të cilët kanë marrë përgjegjësi, nuk kanë pas objektiv kryesor zhvillimin e Drenasit dhe mirëqenien e popullatës, por synimi dhe objektivi i tyre kryesor ka qenë që si të pasurohen vet. Pra, Nekovci, Komorani dhe tërë Drenasi po e kërkon ndryshimin dhe atë ndryshime e kanë gjetur te Nisma për Kosovën”, tha Xhemajlaj, i cili shtoi se Drenasi ka mëritur të zhvillohet edhe 40 për qind më shumë, raporton KP.

Kurse kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi tha se ata do të mbrojnë liritë e qytetare, kombëtare dhe njerëzore. “Jemi këtu, për t’u betuar para jush në një formë, që do t’i mbrojmë të drejtat e juaja, që do të jemi në shërbim të qytetarëve të Drenasit, natyrisht dhe të fshatit Nekovc”, tha Krasniqi dhe kërkoi që të votohet kandidati i Nismës për kryetar të Drenasit.

“Pse qytetarët e Drenasit duhet ta zgjedhin Isa Xhemajlajn. Isa Xhemajlaj prej vitit 1993-94, kur është bërë arsimtar, e më vonë drejtor shkolle në Abri, ka qenë gjithherë aty ku ka qenë interesi i qytetarëve të Drenasit. Në të gjitha detyrat që i ka kry nga atëherë e deri më sot, i ka kry me përgjegjësi dhe kërkush e askush asnjë fjalë nuk mund ta thotë për të. Kjo është një vlerë që duhet vlerësuar nga çdo njeri”, tha Krasniqi.

Në këtë takim elektor, u prezantuan edhe dy kandidatët e Nismës për Asamble të Drenasit.