Zgjedhjet lokale

Bashota premton që katër drejtori komunale të udhëhiqen nga gratë

Descriptive Text

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, njëherësh kryetar i degës së PDK-së, ka premtuar se në mandatin e ardhshëm Bashota, katër drejtori komunale do t’i ndahen femrave.

“Gruaja Demokratike e Kosovës, në këtë tubim elektoral, po dëshmon potencialin e jashtëzakonshëm, mbështetjen dhe besimin për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë me këtë rast Bashota.

Në këtë tubim që është mbajtur në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë, ishin edhe kryetarja e Gruas Demokratike të Kosovës Flora Brovina dhe deputetët Sala Bekteshi Shala e Evgjeni Thaçi Dragusha.

“GDK-ja, me prezencën e madhe po konfirmon fuqinë e pashtershme të PDK-së, e cila është garancë e fitores në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Gruaja Demokratike e Kosovës, është shtyllë e fortë e PDK-së, promovuesja më e mirë e gruas kosovare dhe rolit të saj vendimtar në proceset e ardhshme”, ka thënë Bashota.

Ai është shprehur i sigurt në fitoren e PDK-së me 22 tetor dhe kjo do të thotë edhe forcim i rolit të gruas në vendimmarrje. Taibe Bashota, bashkëshortja e kryetarit të degës së PDK-së, Sokol Bashota, ka bërë thirrje për mbështetje të PDK-së.

“Me Sokolin, Klina është zhvilluar mjafte shumë, rëndësi të madhe do t’i kushtohet edhe fuqizimit të femrës”, ka thënë Bashota.

Kryetarja e Gruas Demokratike, Flora Brovina është shprehur e kënaqur me prezencën e madhe në këtë tubim dhe është shprehur e bindur në fitoren e Bashotës në Klinë.

“Po vërtetohet se PDK-ja është ‘Forca e Ndryshimit’, sepse këtë e dëshmuam në etapa të ndryshme para dhe pas luftës. Një nga ta është edhe kandidati juaj Sokol Bashota. Forca e Ndryshimit dhe avancimit të gruas është PDK-ja”, ka thënë Brovina e cila ka bërë thirrje që të votohet nr 94.

Në këtë tubim është bëre edhe prezantimi i kandidatëve për anëtar të Kuvendit të Komunës.