Zgjedhjet lokale

VV: Lipjani me kryetar Selatin Retkocerin do të jetë komunë e barazisë dhe solidaritetit

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin qendror në Lipjan. Aty janë shpalosur edhe 25 zotimet për komunën e Lipjanit, që sipas kësaj partie do ta mundësojnë ndryshimin në të mirë të qytetarëve.

“Përkrahja e sotme konfirmoi fundin e zhvatjes dhe korrupsionit në krye të komunës, si dhe përkrahjen e fuqishme për qeverisjen ë drejtë e profesionale të Lëvizjes Vetëvendosje në krye me kandidatin tonë për kryetar, Selatin Retkoceri”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Gjatë këtij tubimi lipjanasve iu drejtua kryetari Visar Ymeri, shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, deputeti Albin Kurti dhe kandidati për kryetar të Lipjanit, Selatin Retkoceri.

Glauk Konjufca gjatë fjalës hapëse tha se Lipjani më 2013 bëri ndryshimin e subjektit politik, por jo edhe atë të qeverisjes. I njëjti model i bazuar në korrupsion, nepotizëm, padrejtësi dhe pabarazi, ai tha se vazhdoi edhe për 4 vitet e ardhshme të LDK-së.

“Falë qeverisjes së PDK-së atëherë, dhe LDK-së tash, ne Lipjan ka fshatra pa ujë të pijshëm, vendbanime pa kanalizime, shkolla pa nxehje, fshatra të shndërruara në deponi të mbeturinave, fshatra pa rrugë, ka punësime pa konkurse e tender me përqindje, ka subvencione me libreza të partisë, e jetëgjatësia e të cilave është vetëm deri me 22 tetor, kur Lipjani do ta merr rrugën e vet të mbarë, atë të qeverisjes se Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Konjufca.

Ai gjithashtu shtoi se me një ekip të përgatitur e profesional të kandidatëve për Kuvendin Komunal, me një program me bazë në shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe bujqësi, Selatin Retkoceri do të vazhdojë të qëndrojë afër qytetarëve, duke iu shërbyer nevojave të tyre.

Sipas njoftimit të VV-së, kryetari Visar Ymeri, vuri theksin tek suksesi i Lëvizjes në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai tha se rezultati i 11 qershorit, falë qytetarëve dhe punës së tyre, bëri që Vetëvendosje të jetë subjekti më i madh në vend. Por, Ymeri tha se 11 qershori ishte vetëm pikënisje e ndryshimit, kurse me 22 tetor duhet të kurorëzohet ky ndryshim.

Ai theksoi po ashtu se vota për numrin 10 e për Selatin Retkocerin është votë për komunën e nesërme, për Lipjanin ndryshe, për Lipjanin e zhvilluar, për Lipjanin e barazisë dhe solidaritetit.

“Sepse Lëvizja Vetëvendosje zotohet me mendje e me zemër, me mendje te Komuna e me zemër te qytetari”, tha ndër të tjera Ymeri.

Pas tij, deputeti Albin Kurti tha se me 22 tetor përmes zgjedhjeve Lipjani e ka shansin të gjejë zgjidhjen, e cila mban numrin 10.

”Prej gjetjeve arkeologjike të Ulpianës, te Shpella e mermerit në Gadime, te Xhamia e Vjetër në Shalë, Parku Nacional Blinaja e deri te Shtëpia Muze e At Shtjefen Gjeçovit ne Janjevë, Lipjani ka vende shumë atraktive për turizmin kulturor e natyror, por kjo është e mundshme vetëm me ndryshimin e qeverisjes së tanishme, e kjo do të ndodhë me 22 tetor”, tha Kurti.

Ai shtoi se Lipjani, ndonëse me rëndësi të veçantë gjeografike, nuk kishte asnjëherë komunarë që i dalin zot, që e përfaqësojnë, që e ruajnë e e zhvillojnë. Deputeti Kurti theksoi po ashtu rëndësinë e veçantë të fabrikave, minierës dhe kooperativës bujqësore të dikurshme, privatizimi i të cilave ishte deindustrializim, shpronësim dhe shpunësim, duke qenë kështu humbje për nje numër të madh të qytetarëve të Lipjanit. Por, ai u zotua se Lëvizja Vetëvendosje në qeverisjen lokale dhe shumë shpejt edhe në atë qendrore nuk do t’i mbyllë sytë para krimeve politike, njerëzore e ekonomike, të cilat e varfëruan dhe e mjeruan shoqërinë.

Në fund, Selatin Retkoceri, kandidat për kryetar të komunës së Lipjanit, potencoi se qytetarët e Lipjanit, në çdo lagje e fshat, e kanë dëshmuar besimin e tyre për programin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ekipin e saj. Ai u shpreh se qytetarët kanë gjetur siguri dhe shpresë tek Lëvizja Vetëvendosje, duke i shprehur hallet dhe problemet e tyre.

Retkoceri, shpalosi 25 zotimet për komunën e Lipjanit, të cilat do t’i sigurojnë qytetarëve arsim më të mirë, punësim të merituar, shëndetësi për të gjithë e bujqësi më zhvillimore. Ai tha se 22 tetori është dita kur ndryshimi i nisur më 11 qershor do të zgjerohet e do të fuqizohet.

“Një fitore që komunën e Lipjanit do të ua kthejë qytetarëve atë që iu takon sepse me qeverisjen e Lipjanit nga VETËVENDOSJE, Komuna e Lipjanit për herë të parë në historinë e saj, do të bëhet e qytetarëve dhe për qytetarët. Komuna, do të jetë, ashtu siç e ka për detyrë që të jetë, një adresë për t’i dhënë zgjidhje problemeve e halleve të qytetarëve, të cilët kanë nevojë për dorën e qeveritarëve të atyshëm të përgjegjshëm e të përkushtuar, e të cilët përveç Prishtinës nuk i ka hasur deri më tani, asnjë komunë tjetër”, tha ndër të tjera, Retkoceri në këtë tubim.