Zgjedhjet lokale

Pajaziti: Jam ofertë e mirë për gjilanasit

Descriptive Text

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Zenun Pajazit thotë se ai dhe ekipi i tij janë një ofertë e mirë dhe ndryshe për qytetarët e Gjilanit. Ndërsa, fokusi i tij kryesor thotë se do të jetë zhvillimi ekonomik.

Ai thotë se qytetarët e Gjilanit nuk duhet ta votojnë një kryetar i cili Gjilanin e sheh si një hap për të bërë diçka tjetër.

Pajaziti për KosovaPress është shprehur se do që ta marrë postin e kryetarit të Gjilanit për t’iu shërbyer bashkëqytetarëve të tij.

“Jam i sigurt që ata duhet t’i besojnë atë çka them unë, jam ndoshta në dukje shumë i qetë, këto si komunikoj me njerëzit por jam shumë këmbëngulës në ato që dua t’i bëjë, do të jem shumë këmbëngulës në synimet e mija, synimet e ekipit që do ta bëjnë programin që unë veç kam adaptuar, kam instaluar, mendoj që jam një ofertë e mirë, një ofertë ndryshe, nuk do të duhet të votojnë një kryetar i cili Gjilanin e sheh vetëm si një trampolinë, Gjilanin e sheh vetëm si një hap për të bërë diçka tjetër, nëse do t’i vë pikë krejt karrierës time me Gjilanin do të ishte e mjaftueshme, dua t’iu shërbej njerëzve të mi”, u shpreh ai.

Pretendenti për të parin e Gjilanit tha se ai dhe ekipi i tij kanë objektiva që bazohen në kapacitetet e tyre, derisa prioritet kryesor për mandatin e ardhshëm ai ka vënë zhvillimin ekonomik me qëllim të stimulimit në të bërit biznes.

“Kam përpiluar objektivat zhvillimore për mandatin e ardhshëm, janë objektiva që bazohen në kapacitetet tona dhe me ambiciet tona, potencialet tona. Kanë të bëjnë kryesisht me zhvillim ekonomik me nxjerrje nga margjinat e zhvillimit ekonomik,stimulim më të madh në bujqësi, stimulim më i madh në nxitjen e bizneseve në të bërin e biznes, shitjen e produkteve vendore”, tha ai.

Synim tjetër për Gjilanin, kandidati i PDK-së për kryetar ka edhe investimin në gjenerata të reja, duke përfshirë edhe një projekt i cili lidhet me këtë çështje.

“Sidomos investim në gjeneratën e re, kam edhe një projekt që bazohet në stimulimin e vetëpunësimit të rinjve, këtë projekt besoj që do të më jepet rasti që në mandatin tim të ardhshëm“, tha ai.

Zenun Pajaziti thotë se në mandatin e tij qeverisës nuk do të bëjë politikë dhe se motivi i tij është i mbështetur në aspektin moral duke iu kthyer me shërbim mbështetjes që gjilanasit i kanë dhënë atij dhe familjes së tij.