Zgjedhjet lokale

Abrashi për sportin në tri nivele: profesional, shkollor dhe atraktiv

Descriptive Text

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar të shtunën planin e tij për sportin, i cili do të fuqizohet në tri fusha, sporti profesional, sporti shkollor dhe sporti atraktiv-rekreativ, ku moshat e reja dhe të gjithë qytetarëve do t’iu ofrohen mundësitë për veprimtari sportive, si fundament i shëndetit të tyre.

“Një kryetar i kryeqytetit duhet të ndihet keq nëse sportistëve kulminantë nuk ju ka krijuar kushte dhe ata detyrohen të stërviten në komunat tjera, Obiliq, Drenas etj. Zotohen para komunitetit të sportistëve të Prishtinës se kjo dukuri gjatë mandatit tim nuk do të ndodhë. Prishtina në çdo kohë ka nxjerrë sportistë kulminantë, me kushte minimale. Unë dhe ekipi im do të krijojmë gjithë infrastrukturën e nevojshme sportive dhe përkrahjen financiare për klubet dhe talentet e të gjitha sporteve në Prishtinë”, ka thënë Abrashi.

Në fushën e sportit profesional Abrashi ka thënë se në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe nivelin qendror do të ndërtohet në Bërnicë stadiumi “Dardania Arena”, sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-së.

“Pallatin e Rinisë do t’ua kthejmë të rinjve të Prishtinës dhe ai do të jetë në shërbim të komunitetit të sportistëve dhe sportdashësve. Të gjitha sallat sportive do t'i mirëmbajmë dhe në ato lagje ku nuk ka do t'i ndërtojmë, në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi të merren profesionalisht me sport”, tha kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

Programi i Abrashit për sport parasheh që çdo lagje e Prishtinës të ketë Qendrën Rekreative Sportive – sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat do të ndërtohen me buxhetin e komunës dhe përmes partneritetit publik-privat.

Ai tha se te sportet shkollore do të ketë fokus të veçantë, në konsultim me pedagogët dhe ekspertët e sportit të forcohen kushtet për ligat shkollore, të cilat do të funksionalizohen në mënyrë që të kenë mundësi për zhvillimin e talenteve të rinj.

Abrashi ka thënë se sportit do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.