Zgjedhjet lokale

Lladrovci zotohet për përkrahje të bizneseve

Kandidati për Kryetar të Drenasit dhe kryetari aktual, Ramiz Lladrovci, ka takuar sot pronarët dhe përfaqësuesit e bizneseve të komunës së Drenasit dhe ka diskutuar me ta për ecurit e zhvillimit ekonomik, puna 8 mujore si dhe planet për mandatin e ardhshëm, në veçanti për zhvillimin ekonomik, transmeton Koha.net.

“Zotohem se taksën e Lejes së operimit, ndër mbledhjet e para do ta heq, me ndihmën e asamblistëve të PDK-së që do ta kemi shumicën pa dilemë, duke qenë motiv dhe kursim për ushtrimin e veprimtarisë dhe përkrahje nga komuna”, theksoi Z. Lladrovci, në fillim të takimit.

Po ashtu, Lladrovci diskutoi rreth shpronësimit dhe procedurave te zona e Parkut të ri të biznesit dhe ndërtimit të stadiumit olimpik, premtime për investimet kapitale nga niveli qendror dhe të gjitha premtimet e realizuara nga Kadri Veseli për Drenasin dhe qytetarët e saj, duke u zotuar se investimet kapitale do të ndryshojnë një herë e përgjithmonë çështjet infrastrukturore dhe kushtet tjera që jetën e qytetarit në Drenas e bëjnë të dinjitetshme dhe të lakmueshme për të gjithë.

“Zhvillimi ekonomik, mirëqenia e qytetarëve dhe ngritja e cilësisë së jetës së qytetarëve janë synimet tona, synimet e PDK-së dhe Forcës së Ndryshimit”, theksoi kryetari Lladrovci duke shtuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe zbatimi i ligjit është pika e fortë e qeverisjes në Drenas.

Ai demantoi thashethemet se në Drenas po ngulfatet biznesi, duke e quajtur propagandë e fushatë e ultë që dëmton vet bizneset e Drenasit.