Zgjedhjet lokale

Prishtina ngrohet prej Obiliqit, kurse obiliqasit s’kanë ngrohje qendrore

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Obiliq, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të marrë përgjegjësi për ndryshimin e Obiliqit.

Veseli ka thënë se në njërën anë, Obiliqi është zonë industriale prej të cilit varet e gjithë Kosova, kurse në anën tjetër papunësia dhe moszhvillimi rëndojnë shumë mbi jetën e qytetarëve të tij.

“Ishte Partia Demokratike e Kosovës e para që mbështeti dhe mundësoi Ligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rrethinës. Ky ligj do të zbatohet në përpikëri. Ky është zotim i Partisë Demokratike të Kosovës. Është zotimi im dhe i kryetarit të ri të Obiliqit. Nuk mund të vazhdohet edhe më tutje që Obiliqi të jetë zonë vitale industriale e Kosovës, kurse qytetarët e tij të jenë të papunë. Kjo do të marrë fund”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se qytetarët e Obiliqit do të kenë përparësi punësimi në KEK dhe në projektet e reja energjetike që do të ndërtohen në këtë zonë.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Obiliqit, Nysret Kelmendi, ka thënë se është e pakuptimtë që nga Obiliqi të arrijë ngrohja qendrore në Prishtinë, kurse qytetarët e Obiliqit të mos kenë ngrohje.

“Brenda një mandati do ta përfshijmë gjithë qytetin në sistemin e ngrohjes qendrore”, ka premtuar Kelmendi.

Kandidati i PDK-së për Kryetar të Obiliqit, Nysret Kelmendi, ka thënë se me ligjin e ri që është miratuar me insistimin dhe mbështetjen e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, kjo komunë do të ketë investime kapitale që hapin perspektivë për qytetarët e Obiliqit, veçanërisht për rininë e tij.