Zgjedhjet lokale

Veseli premton spital modern për Fushë Kosovën dhe rregull urbanistik

Descriptive Text

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në tubimin elektoral në Fushë Kosovë, ku kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune, Adem Zogjani, ka shpalosur platformën qeverisëse të PDK-së.

Veseli ka thënë se po e sheh besimin e madh në Forcën e Ndryshimit të PDK-së edhe në mesin e përkrahësve në Fushë Kosovë.

“Fusha Kosova ka nevojë për qeverisje tjetër. Fushë Kosova meriton të qeveriset ndryshe. Fushë Kosova është komuna me rritjen ma të madhe urbane, prandaj ka nevojë urgjente për projekte kapitale”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se PDK-ja nuk do të lejojë që kjo komunë të mbetet e zhytur në kaos urban, në mbeturina, ujëra të zeza dhe ndotje ekstreme urbane.

“Ne do ta ndërtojmë spitalin e Fushë Kosovës. Fushës Kosovës i duhet një spital modern. Qendrat e mjekësisë familjare nuk mjaftojnë. Ne kemi gati vendimin, projektin dhe mundësitë buxhetore për ta bërë. Aty ku të tjerët dështojnë, ne korrim sukses. Ne jemi Partia Demokratike e Kosovës, partia e ndryshimit dhe zhvillimit të vendit”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së ka thënë se të gjitha projektet për infrastrukturë, shkolla dhe agrobiznes që ka prezantuar kandidati i PDK-së për Kryetar të Fushë Kosovës, Adem Zogjani, do të kenë mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për të parin e Fushë Kosovës, Adem Zogjani, ka thënë se Fushë Kosova meriton një qeverisje më të mirë dhe se qeverisja e tij do ta largojë korrupsionin nga kjo komunë, do të jetë më e përgjegjshme, më transparente dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve të saj.