Zgjedhjet lokale

Mustafa: Ymeri kandidati më meritor për kryetar të Artanës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një tubimi me qytetarët e Artanës, ka thënë të mërkurën se asnjë kandidat nuk është më meritor sesa Bajrush Ymeri, për të qenë kryetar i Artanës, transmeton Koha.net.

“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Artanës dhe komunitetet e tjera, që ta përkrahin kandidatin tonë për kryetar komune. Kam bindjen e plotë se askush më shumë se Bajrush Ymeri nuk meriton të jetë kryetar i Artanës. Gjatë qeverisjes së Ymerit deri më 2013, ai i ka respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe ka përmbushur të gjitha premtimet”, ka thënë Mustafa.

Ai , sipas kumtesës partiake, potencoi se gjatë qeverisjes së Ymerit do të ketë më shumë investime në të gjitha fshatrat, pavarësisht përbërjes etnike të banorëve.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Artanës, Bajrush Ymeri, ka thënë se LDK i njeh më së miri problemet me të cilat përballen qytetarët e Artanës.

“Prioritete tona janë zhvillimi ekonomik, më konkretisht bujqësia dhe turizmi. Do të subvencionojmë nga komuna sektorin e bujqësisë, femrat e gjedheve, deleve dhe dhive, kultivimin e bimëve të ndryshme, frutat e malit etj”, ka thënë Ymeri.

Sa i përket turizmit, ai tha se do t'i përkrahim familjet që merren me turizmin rural. “Ne planifikojmë ta restaurojmë Kalanë e Artanës e cila ka një histori në vete shumë atraktive për tu vizituar nga turistët dhe vizitorët e ndryshëm nga shumë vende të botës”, shtoi ai.