Zgjedhjet lokale

Pacolli në Bërnicë premton rregullimin e infrastrukturës në të gjitha lagjet

Selim Pacolli, kandidat i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës, fushatën e tij zgjedhore e ka vazhduar në fshatrat e Prishtinës.

Ndalesa e parë e Pacollit ishte fshati Bërnicë, ku nga banorët mori ankesa se kanë mungesë të rrugës e të kanalizimit.

Musa Govori nga ky fshat iu ankua Pacollit se qe 15 vjet janë pa kanalizim dhe gjatë verës në këtë fshat është e pamundur të jetohet nga kundërmimi që lëshojnë ujërat e zeza.

Govori tha se edhe rrugën e kanë ndërtuar me para të tyre, ndërkohë që siç tha ai ankesat e tyre nuk janë marr parasysh nga komuna. Ai madje tha se ata ndihen si qytetarë të rendit të dytë e jo si qytetarë të Kosovës.

“Qe 15 vjet jena pa kanalizim. Premtime ka shumë, punë s’ka, rrugën po e shihni edhe vet. Vet e kemi shtruar me para tona. Premtime ka shumë, gjithë shkojmë në komunë, thonë po, por askush nuk thotë jo. Sivjet s’mundemi, vitin e kaluar jeni vonuar ju etj. Ne qe 15 vjet me vonesë, premtime po, punë kurrë. Këtu gjatë verës s’mundet të jetohet”, tha Govori, raporton kp. 

Duke e parë gjendjen dhe duke dëgjuar ankesat e banorëve Pacolli tha se nëse zgjidhet kryetar asnjë lagje e Prishtinës e asnjë fshat nuk do të mbetet pa të gjithë infrastrukturën e nevojshme, duke filluar nga rruga e deri te ambulanca.

“Është e pakuptimtë që edhe në këtë kohë ballafaqohemi më gjëra të tilla. Bota e civilizuar merret me teknologji ne merremi me kanalizime me rrugica me lloçin me gjëra të tilla, këto janë. Unë iu premtoj bindshëm, jo premtime në qiell por premtime reale që brenda mandatit tim nuk do të ketë asnjë rrugë, asnjë rrugicë asnjë lagje që nuk do ta ketë rrugën, nuk do ta ketë ujin, kanalizimin, internetin, ambulancën e vet, çerdhen. Këto janë obligime elementare që komuna e Prishtinës duhet t’iu ofrojë qytetarëve të saj”, tha Pacolli.

Ai tha se të gjitha këto investime do t’i bëjnë me paratë e taksapaguesve të komunës së Prishtinës.

Pacolli ka vazhduar fushatën edhe në fshatin Trudë, që gjendet bri magjistrales Prishtinë-Podujevë.